Shkup, 6 korrik – Skuadra e Shkëndijës nuk ndryshon formulën dhe në Kishinau të Moldavisë të enjten do të kërkojë të luajë me “recetën” e njëjtë si të enjten e kaluar kur në Strumicë me rezultatin e thellë 3:0 mundi Daçian. Të vetëdijshëm për epërsinë 3:0 nga ndeshja e parë, kuqezinjtë shprehën optimizmin para ndeshjes së kthimit e cila zhvillohet të enjten. Trajneri Qatip Osmani dhe kapiteni Ferhan Hasani kërkojnë tjetër paraqitje pozitive dhe përsëritjen e performancës nga ndeshja e parë. “Ne jemi përgatitur maksimalisht që të përsërisim lojën si në Strumicë. E dimë se asgjë ende nuk është e kryer edhe pse kemi rezultat të mirë. Por, me plot seriozitet do të hyjmë edhe në ndeshjen e nesërme”, është shprehur trajneri Qatip Osmani. “Pas lojës së parë kur bëmë lojë shumë të mirë dhe rezultatit pozitiv këtu, mendojmë se ende asgjë s’ka mbaruar. Kemi ardhur këtu për të përsëritur atë ndeshje dhe të shkojmë në raundin tjetër”, deklaroi kapiteni Ferhan Hasani. Ndeshja Daçia – Shkëndija do të fillojë në ora 16.00.
Romantikët të bindur në kualifikim në raundin e dytë
Pos Shkëndijës, edhe skuadra e Rabotniçkit të enjten zhvillon ndeshjen kthyese kundër Tre Pene nga San Marino. Cekim ndeshja e parë në San Marino përfundoi me fitore të “romantikëve” me 0:1, ndërsa nga radhët e këtij klubi thonë se janë favorit por nuk do ta kenë lehtë për të realizuar objektivin. “Ne jemi favorit, atje fituam 1:0, por nuk do të jetë e lehtë pasi mysafirët nga San Marino nuk do të vinë si turist. Gjithsesi jam i bindur se Rabotniçki do të vazhdojë në raundin e dytë dhe dëshirojë që gjithçka të definohet në pjesën e parë”, është shprehur Trenevski. “Shihej në ndeshjen e parë që skuadra nga San Marino dëshironte të luaj futboll, mirëpo ne dominuan dhe arritëm që të shënojmë vetëm një gol. Në ndeshjen kthyese duam që të startojmë fuqishëm që nga minuta e parë që të shënojmë më herët golin dhe besoj që do t’ia arrijmë”, deklaroi kapiteni Dushko Trajçevski. Takimi Rabotniçki-Tre Pene luhet në stadiumin pranë FFM-së, me fillim në orën 17:30. Ndërkohë, Pelisteri pa gjasa teorike do të pret Leh Poznan nga Polonia, duke marr parasysh se në ndeshjen e parë pësuan disfatë prej 4:0.
Tirana, Partizani e Prishtina pa gjasa për plasman në raundin e dytë
Ndërkohë, edhe skuadrat nga Shqipëria e Kosova sot zhvillojnë ndeshjet kthyese të Liga Evropës. Tirana para dashamirëve të saj do të tentojë të eliminojë negativin nga ndeshja e parë 2:0 nga Makabi Tel Aviv si dhe Partizani përballë Botev Plovdiv, ku bullgarët në Tiranë triumfuan me rezultatin 3:1. Pa gjasa teorike do të jetë skuadra e Prishtinës, e cila ka negativë prej 5:0 ndaj Norrkepingut, në ndeshjen e cila do të zhvillohet në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë në ora 20.00.