“Më ndihmoni të shpëtoj vajzën”, është kjo lutja e një nëne, e cila ka humbur dy fëmijë dhe tashmë i është drejtuar botës për të kërkuar ndihmë, për të shpëtuar jetën e vajzës së vogël që po lufton me kancerin. Tianna ishte bekim për Lacie Ann Gray kur erdhi në jetë, pasi gruaja e humbi fëmijën e parë si pasojë e një aborti spontan, ndërsa të dytin pak pasi e solli në jetë. Sot, vajza e saj e vetme, 3-vjeç, është diagnostikuar me kancer në veshka, duke bërë që zemra e nënës së saj të mbushet me hidhërim dhe që ajo t’i drejtohet të panjohurve për ndihmë. Mjekët i thanë 28-vjeçares, e cila jeton në Montego Bay të Xhamaikës, se nuk mund të bëjnë më asgjë për të Tiannën. 3-vjeçarja, sipas mjekëve, është shumë e vogël për operacionet dhe mund ta shpëtojë vetëm një mrekulli. E diagnostikuar me sarkomë të veshkave (një tumor shumë i rrallë dhe prek kryesisht fëmijët apo adoleshentët), mjekët e zbuluan atë në 2015-ën, pasi gjetën një masë kancerogjene në stomakun e të voglës. Pasi i hoqën një prej veshkave, gjendja e saj u përkeqësua dhe që prej asaj kohe ajo nuk mund të ecë. Nëna e Tiannës kërkon që ta çojë të bijën në një tjetër spital, me shpresën se dikush, diku, mund t’i shpëtojë asaj jetën.