Zejnulla VESELI
Shkup, 24 mars – Maqedoni nga një vend që dikur furnizonte vendet e rajonit, por edhe disa vende evropiane me prodhime bujqësore, tani 10 vitet e fundit bëhet gjithnjë më e varur nga importi i prodhimeve bujqësore, shkruan gazeta KOHA. Të dhënat e Agjencisë për ushqim tregojnë se vitin e kaluar në tregun e Maqedonisë gjithnjë e më shumë janë shitur patate nga Bosnja dhe shalqinj nga Bellorusia. Po sipas Agjencisë për ushqim, vitin e kaluar nga Greqia, Turqia, Shqipëria dhe Serbia kemi importuar 112.817.804 kilogram fruta dhe zarzavate. Edhe të dhënat e fundit të Entit statistikor tregojnë se në vitin 2016, në tregjet e gjelbra dhe në raftet e marketeve qytetarët e Maqedonisë kanë blerë patate nga Bosnja, Serbia, Kroacia, Austria, Franca dhe Greqia. Nga ëto vend vitin e kaluar janë importuar 989.315 kilogram patate, ndërsa domate më së shumti janë importuar nga Shqipëria. Si vend importuese të prodhimeve bujqësore për vitin 2016 është edhe Kina më eksport prej 97.960 kilogram hudhra. Tregtarët nga Maqedonia vitin e kaluar më së shumti presh dhe tranguj kanë importuar nga Shqipëria, Greqia dhe Serbia. Gjithashtu, edhe pse Maqedonia, gjegjësisht Tetova, është e njohur me groshën cilësore, vitin e kaluar në tryezat e qytetarëve të Maqedonisë është përdorur grosha nga Kazakistani në sasi prej 3.375.524 kilogramë, pastaj 65.500 kilogram groshë nga Moldavia dhe 296.000 kilogramë groshë janë importuara nga Egjipti. Vitin e kaluar, gjithashtu, në tregjet e gjelbër dhe nëpër raftet e dyqaneve janë shitur 162.266 kilogram dredhëza të prodhuara në Shqipëri dhe Greqi. Po ashtu në tregjet e gjelbër në Maqedoni vitin e kaluar janë shitur pjeshka greke dhe ruse si dhe 975.795 kilogramë dardha të importuar nga Serbia, Turqia dhe Bosnja.
Edhe pse Maqedonia është vend i njohur për prodhimin e mollëve, tregtarët e Maqedonisë vitin e kaluar kanë importuar 547.452 kilogramë molla nga Greqia, Shqipëria dhe Bosnja. Shqipëria është shteti që tregtarët më së shumti kanë importuar shalqinj, 1.068.135 kilogramë. Arsyet se si ndodhi që Maqedonia e humbi primatin e vendit eksportues të prodhimeve bujqësore dhe se gjithnjë e më shumë po bëhet më e varur ga importi i prodhimeve bujqësore, për Arben Halilin eksperte ekonomik, kjo ndodh për disa arsye. “E e para është politikat bujqësore joproduktive, ku subvencionet në sektorin bujqësorë më tepër përdoren për nevoja personale dhe mbulim të shpenzimeve familjare, se sa për përmirësim të kushteve për punë ose edhe përmirësim të kualitetit të punës dhe prodhimit”, thotë për KOHA, Halili, i cili njëherit vlerëson se kjo që po ndodhë me Maqedoninë të jetë e varur nga importi i prodhimeve bujqësore, është e tmerrshme për ekonominë e Maqedonisë, sepse në vend ekzistojnë potenciale të mëdha për prodhim të ushqimit, por nuk shfrytëzohen. “Së dyti kemi një parcelizim të tokave bujqësore aq të madh, sa që mesatarja e tokës bujqësore për fermerë është shumë e ulët dhe si e tillë është e pamjaftueshme për të prodhuar sasi të mjaftueshme dhe për të qenë konkurrent në treg”, thotë Halili. Arsyeja e tretë se pse Maqedonia nga vend eksportues më i madh i prodhimeve bujqësore është kthyer ne importues më i madh i këtyre prodhimeve, është se sektori bujqësorë në Maqedoni shihet më tepër si aktivitet dytësorë për të siguruar të hyra shtesë për familjen, se sa si degë e qëndrueshme dhe e rëndësishme e ekonomisë, nga e cila jo vetëm mund të jetohet, por edhe mund të ndërtohet një biznes solid.
“Kjo ka të bëjë me premtimet e shtetit drejt sektorëve që ne si vend nuk kemi kurrfarë potenciali apo edhe aftësie krahasuese, për të qenë konkurrent me vendet e rajonit apo edhe me gjerë. Dëshira dhe orientimi për t’u prezantuar si vend me sektor të zhvilluar të IT apo energjetikës ose metalurgjisë, janë vetëm dëshirë e qeveritarëve, por në asnjë moment mundësi zhvillimi për vendin. Ajo që Maqedonia e ka si përparësi krahasuese është sektori agrar, prandaj fokusi duhet të jetë në mbështetjen e bashkimit të parcelave bujqësore, shpërndarjen e subvencioneve për ata që punojnë tokën dhe jo vetëm pronarëve të tokës dhe mbi të gjitha, sigurimin e tregjeve adekuate për plasman të prodhimeve bujqësor”, thotë Arben Halili, ekspertë ekonomik.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara