Krahas rritjes së masës së paraburgimit, gjatë vitit 2019 – Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut thekson se ka rritje edhe të Masave të Posaçme Hetuese (përgjime dhe përndjekje legale). Incizimi i telefonave dhe përcjellja e komunikimeve tjera elektronike, apo përcjellja fizike, gjegjësisht kontrolli i fshehtë në sistemin kompjuterik nga Prokuroria Publike është zbatuar në 103 raste kundër 338 personave me identitet të vërtetuar dhe 17 personave me identitet të pavërtetuar, gjegjësisht në 313 raste për vepra penale
Omer XHAFERI
Shkup, 15 tetor – Në pesë vitet e fundit masa e paraburgimit në Maqedoninë e Veriut, më tepër është shqiptuar vitin e kaluar, respektivisht gjatë vitit 2019 në paraburgim janë dërguar 528 persona. Të dhënat e publikuara nga Prokuroria e Publike e Maqedonisë së Veriut, tregojnë se në pesëvjeçarin e fundit kjo masë e më së paku është shqiptuar në vitin 2016, gjegjësisht kundër 322 personave. Përpos vërejtjeve që Raporti i Pribes, në vitin 2015 ia adresoi institucioneve përkatëse të vendit se masa e paraburgimit po keqpërdoren, vërejtje për masën e paraburgimit janë përfshi edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut. Arsyetimi i Prokurorisë Publike të Maqedonisë së Veriut, i publikuar në raportin e punës së vitit 2019, thotë se nëse merret parasysh se gjatë vitit të kaluar kanë vepruar ndaj 19 mijë rasteve të reja, i bie se masa e paraburgimit është shqiptuar në vetëm 2.7 për qind prej tyre. Ndërkohë, përqindja e masës së paraburgimit të zbatuar gjatë viteve tjera lëviz nga 1 deri në 2 për qind.
“Kohëzgjatja e paraburgimit gjatë vitit 2019 për 230 persona ka qenë deri në 30 ditë, për 92 persona deri në 60 ditë, për 105 persona deri në 90 ditë dhe kundër 102 personave masa e paraburgimit ka zgjatur më tepër se 90 ditë. Numri më i madh i masës së paraburgimit është shqiptuar në kuadër të prokurorive që i përfshin Prokuroria e Lartë e Shkupit, gjithsej 225 raste, vijon ajo e Manastirit me 101 raste, Gostivari me 70 raste të paraburgimit, Shtipi me 27 dhe Prokuroria për parandalimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar me 108 raste”, thuhet në raportin e fundit të Prokurorisë Publike. Duke e arsyetuar punën e Krimeve të rënda nga Prokuroria Publike, mes tjerash thonë se kjo prokurori gjatë vitit të kaluar ka vepruar edhe në 6 raste ku është caktuar masa e arrestit shtëpiak dhe 15 raste ku është shqiptuar masa e kujdesit. Sipas tyre vlerësimi i opinionit se masa e paraburgimit është propozimi i shpeshtë i prokurorive nuk qëndron, pasi që ekzistojnë arsye të forta në pajtim me bazat ligjore për përcaktimin e paraburgimit.
Krahas rritjes së masës së paraburgimit, gjatë vitit 2019 Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut, thekson se ka rritje edhe të Masave të Posaçme Hetuese (përgjime dhe përndjekje legale). Incizimi i telefonave dhe përcjellja e komunikimeve tjera elektronike, apo përcjellja fizike, gjegjësisht kontrolli i fshehtë në sistemin kompjuterik gjatë vitit 2019 nga Prokuroria Publike është zbatuar në 103 raste kundër 338 personave me identitet të vërtetuar dhe 17 personave me identitet të pavërtetuar, gjegjësisht në 313 raste për vepra penale.
“Për krahasim, në vitin 2018 në të gjitha prokuroritë themelore publike Masat e Posaçme Hetuese, janë zbatuar në 95 raste, kundër 317 personave me identitet të vërtetuar. Nëse bëhet analizë e numri të zbatimit të këtyre masave gjatë viteve 2018-2019 mund të shihet se në vitin e fundit ka rritje të MPH, për 8.4 për qind. Në pjesën për masat të cilët zbatohen në masë të rasteve kemi zvogëlim të theksuar edhe atë nga 551 raste në vitin 2018, në 313 raste në vitin 2019”, thonë nga Prokuroria Publike. Ndryshe, prokuroritë e vendit gjatë vitit të kaluar kanë shqyrtuar mbi 29 mijë raste të reja të veprave penale, prej të cilëve mbi 19 mijë raste kanë të bëjnë me të rritur, mbi 1 mijë tjera për fëmijë dhe 9 mijë raste për kryerës të panjohur të veprave penale. (koha.mk)