Juan Arango, i konsideruar si futbollisti më i mirë në historinë e Venezuelës, së fundmi prezantoi një dokumentar për karrierën e tij me titullin “Arangol”, ku mund të shihen çaste të ndryshme të jetës së mesfushorit, i cili ka luajtur në skuadra si RCD Mallorca, Borussia M’Gladbach apo New York Cosmos. Një nga episodet më interesante të dokumentarit, që do të publikohet më 22 dhjetor, është ai ku vetë Arango konfirmon se ka refuzuar një ofertë për të luajtur te Barcelona duke menduar se dikush po tallej me të. Duket si skenar filmash, por bëhet fjalë për diçka që do t’ia ndryshonte tërësisht jetën. Arango u transferua te Mallorca në vitin 2004 për të luajtur pesë sezone. Gjithsej, venezueliani atje luajti 191 ndeshje, duke shënuar 49 gola, disa prej të cilëve në stilet më spektakolare të mundshme (kryesisht nga goditjet standarde) dhe duke dhënë 18 asiste. Performancat e mira dhe fama bënë që ai të merrte një hap më të madh duke zgjedhur si destinacion të radhës Borussia M’Gladbach-un. Edhe në Gjermani Arango tregoi cilësinë e tij, ku shënoi 31 gola dhe dha 57 asiste në 175 ndeshje. Klubi i fundit i 36-vjeçarit ishte New York Cosmos dhe aktualisht ai po negocion për ta mbyllur karrierën në Venezuelë.