Shkup, 20 janar – Skuadra e Shkëndijës ka zyrtarizuar dje transferimin e dy futbollistëve të cilët në sezonin pranveror do të veshin fanellën kuqezi. Mesfushori me tipare sulmuese Dino Mexhedoviç dhe mbrojtësi qendror Jure Çolak, kanë firmosur kontrata 18 mujore, ndërsa pas prezantimit me fanellën e Shkëndijës menjëherë i janë bashkuar skuadrës në seancat stërvitore.
Ndryshe 27 vjeçari boshnjak Mexhedoviç ka pasaportë austriake dhe jeton në Linz, ndërsa në Shkëndijë vjen nga Paderborni i Gjermanisë. Luan si mesfushorë ofensivë, ndërsa përshtatet edhe si sulmues krahu dhe sulmues qendre.
Derisa, Çolak është gjithashtu 27-të vjeçar me nënshtetësi të dyfishtë (gjermane dhe kroate), ndërsa si i ri ka qenë pjesë e disa ekipeve të mëdha gjermane, ka regjistruar 15-të paraqitje për përfaqësuesen U 19 të Kroacisë, ndërsa në Shkëndijë vjen nga FC 08 Homburg i Gjermanisë. Bëhet fjalë për mbrojtës korpulent me një lartësi prej 194 centimetrave, i cili mund të mbulojë dy pozitat si mbrojtës qendre, ndërsa me nevojë luan edhe si mbrojtës i djathtë dhe mesfushor i fundit.
Mexhedoviç dhe Çollak janë dy përforcimet e para të Shkëndijës në këtë merkato, ndërsa paraprakisht ekipit iu bashkëngjit trajneri gjerman Tomas Brdariç dhe ndihmësi i tij Armin Friedrih.