Cristiano Ronaldo mund të ketë fituar vendin kryesor në titujt e gazetave pas triumfit 4-2 të Real Madrid-it në finalen e Botërorit për klube ndaj Kashima Antlers-it, por Alvaro Morata u bë protagonist, sepse nisi diçka që nuk ishte dëgjuar më parë. E thjeshtë. Sulmuesi spanjoll u fut në lojë në 30-minutëshin e shtesës në vend të portugezit duke u bërë lojtari i parë i aktivizuar si zëvendësues i katërt në historinë e futbollit të meshkujve. Morata u lejua të luante, sepse FIFA ka miratuar me kohë rregullin për të shtuar një zëvendësim tjetër në kohën shtesë, siç ndodhi në Lojërat Olimpike të Rios. Rregulli i ri ndihmoi trajnerin Zinedine Zidane të freskojë skuadrën e tij dhe të kurorëzohej kampion bote. Me fitoren e sotme, francezi bashkë me “Galaktikët” arritën në kuotën e 37 ndeshjeve radhazi pa humbje. Kjo statistikë veçse dëshmon se madrilenët nuk ngopen nga sukseset.