Presidenti i Zimbabves, Robert Mugabe dhe familja e tij ndodhen në paraburgim shtëpiak, njoftoi televizioni Njuz 24 nga Zimbabve. Sipas mediave lokale, shefi i shtetit 93-vjeçar është përgatitur të japë dorëheqje. Partia qeveritare në Zimbabve, Zanu-PF publikoi në Tuiter se Emerson Mnangagva është emëruar për president të përkohshëm të shtetit në vend të 93-vjeçarit Robert Mugabe. Partia mohon se në shtet është kryer grusht shtet por që ndodhitë në Harare kanë qenë “bartje e pushtetit pa derdhje gjaku”.
“Nuk kishte grusht shtet vetëm bartje të pushtetit pa derdhje të gjakut. Madje janë arrestuar njerëz të korruptuar, ndërsa plaku i cili e shfrytëzonte bashkëshorten e tij është paraburgosur. Disa të shtëna janë nga njerëz të këqij të cilët kanë dhënë rezistencë gjatë arrestimit, por tani edhe ata janë në paraburgim”, thuhet në njërin nga tuitet e partisë në Tuiter.
Mnangagva (75) ishte nënpresident i Zimbabves derisa Qeveria nuk e shkarkoi për shkak të “jolojalitetit”. Ky ndërrim ishte pranuar si përgatitje të bashkëshortes të Mugabes që ta marrë pushtetin nga ai për shkak se ajo paraprakisht vetë ka kërkuar nga bashkëshorti ndërrim të Mnangagvës.
Ushtria mbrëmë e mori pushtetin në Zimbabve, duke theksuar se nuk është kryer grusht shtet, por vetëm intervenim kundër “kriminelëve rreth presidentit Robert Mugabe të cilët u shkaktojnë njerëzve vuajtje sociale dhe ekonomike”. Ushtarët sigurojnë ndërtesa qeveritare dhe patrullojnë nëpër rrugët e Harares, ku mbrëmë u regjistruan disa shpërthime të fuqishme. Automjete të armatës bllokuan qasje deri te Parlamenti, si dhe para gjykatave.
Paraprakisht u arrestua edhe ministri i Financave Ignatius Çombo. Ai është anëtar me ndikim i fraksionit të ashtuquajtur G40″ të partisë qeveritare Lidhja afrikane kombëtare e Zimbabves – Froni patriotik. Fraksionin e udhëheq Grejs, bashkëshortja e Mugabes, e cila planifikon ta trashëgojë 93-vjeçarin president në funksionin shef i shtetit.
Partia opozitare Lëvizje për ndryshim demokratik bëri thirrje për kthim të qetë drejt demokracisë kushtetuese në vend, duke shtuar se intervenimi i ushtrisë do të sjellë deri në vendosje të shtetit stabil, demokratik dhe progresiv.
Lideri me ndikim i veteranëve ushtarak, të cilët zhvilluan luftë për pavarësi të Zimbabves, Kris Mucvanga i bëri thirrje Afrikës Jugore dhe shteteve të tjera nga pjesa jugore e kontinentit, si dhe Perëndimi, sërish të hyjnë në kontakt me Hararen.