Ministri pa dikaster i angazhuar për investime të huaja, Elvir Hasan ishte për vizitë pune në Turqi ku realizoi takime me ministrin e Punëve të Jashtme Mevlud Çaushoglu, të Tregtisë Ruhsar Pehxhan dhe me ministrin e Industrisë dhe Teknologjisë, Mustafa Varank.
Siç kumtuan nga kabineti i tij, në takimet u bisedua për ngjarjet aktuale politike dhe shoqërore në dy vendet, marrëdhëniet miqësore midis tyre të cilat, theksohet, çdoherë kanë qenë të shkëlqyera si dhe për avancimin e bashkëpunimit të ndërsjellë. Ministri Hasan i prezantoi kushtet vijuese për investim, problemet potenciale dhe zgjidhjet e tyre, ndërsa më shumë kujdes është kushtuar në ratifikimin e protokollit për inkuadrimin e shtetit tonë në NATO.
“Republika e Turqisë çdoherë ka qenë aleati më i fuqishëm në luftën për hyrjen e shtetit tonë në BE dhe në NATO dhe mbështetje më të madhe Maqedonia e Veriut ka marrë pikërisht nga Turqia. Edhe krahas asaj që Republika e Turqisë është një prej investitorëve më të mëdhenj në shtetin tonë, është konstatuar se blegtoria, tekstili dhe teknologjia janë sfera të cilat janë nga interesi për investitorë të rinj. Është shqyrtuar opsioni për eksport të mishit të qengjit, i cili është përmendur edhe paraprakisht”, qëndron në kumtesë.
Ministri Hasan gjatë qëndrimit në Turqi realizoi takim edhe me TIKA-n, Agjenci e cila realizon projekte të suksesshme tek ne. Gjithashtu, ministri e vizitoi edhe Drejtorinë për diasporën turke dhe bashkësi të ngjashme (JTB), e cila u mundëson bursa të rinjve nga tërë bota, duke i përfshirë edhe të rinjtë nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Takimet e ngjashme, i përforcojnë marrëdhëniet dhe e konfirmojnë mbështetjen dhe respektin e përbashkët të të dy shteteve, si dhe zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik i cili çdoherë është në dobi të qytetarëve të dy vendeve, theksohet në kumtesë. (koha.mk)