Bujar KURTAJ
Shkup, 24 janar – Atë që e publikoi gazeta KOHA në muajin dhjetor vitin e kaluar, se Visar Musliu, mbrojtësi i Renovës dhe përfaqësueses së Maqedonisë deri 21 vjeç ka arritur marrëveshje tre vjeçare me kampionin aktual Vardar, i ka konfirmuar edhe menaxheri i tij Besim Reçi, në intervistën për gazetën KOHA, që u botua të hënën. “Visar Musliu prej në qershor do të luajë në Vardar. Atë që ju e keni shkruar është plotësisht e vërtetë. Ka shumë gjasa që ky transferim të realizohet tash në janar nëse gjejmë një gjuhë të përbashkët me drejtuesit e Renovës”, tha Reçi. Ndryshe, kur jemi te ky transferim, siç mëson gazeta KOHA, puna ka ngecur te dëmshpërblimi, ku jozyrtarisht drejtuesit e klubit tetovar i kërkojnë Vardarit 50 mijë euro, ndërsa këta të fundit nuk janë të gatshëm ta paguajnë dhe kërkojnë që ky çmim të ulet, në të kundërtën do të presin që në verë lojtari t’iu bashkëngjitet atyre pa asnjë cent.
Derisa, menaxheri Reçi nuk deshi të flasë në lidhje me shumën që ia kanë ofruar kryesia e Vardarit, kryesisë së klubit tetovar. Ai pranoi se trajneri Goce Sedllovski qysh më herët ka dashur ta sjell Musliun në Vardar, ndërkohë zbuloi se edhe skuadra e Shkëndijës kishte shprehur interesim për klientin e tij, por kuqezinjtë nga Shkupi kanë qenë më të shpejtë dhe më konkret. “Kur jemi te dëmshpërblimi, nuk dëshiroj të flas asgjë, por do të them vetëm se Visari është marr vesh me Vardarin duke arritur marrëveshje tre vjeçare, por klubet ndërmjet vete ende po negociojnë. Pres dhe besoj se kryesia e Renovës do të menaxhojë mirë këtë situatë dhe nuk do të lejojë që të mos përfitojë asgjë nga ky transferim, në të kundërtën në qershor Visari do të shkojë të Vardari si futbollist i lirë. Dua të përmend edhe atë se për shërbimet e Visarit kanë qenë të interesuar edhe KF Shkëndija, por drejtuesit e Vardarit ishin më të shpejtë dhe kur mu paraqitën ata, ne më veç ishim marr vesh. Pastaj, mos të harrojmë se oferta e Vardarit është shumë më e mirë se atë që e ofruan drejtuesit e klubit tetovar”, deklaroi për KOHA, menaxheri shkupjan. Ndërkohë, Visar Musliu aktualisht është duke i zhvilluar përgatitjet me skuadrën e Renovës dhe është në pritje të zgjidhjes përfundimtare, ndërsa siç e dimë ai do të jetë pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë në Kampionatin Evropian i cili do të mbahet në Poloni.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.