Nga Delvina KËRLUKU
KOHA: Muzika është pasioni juaj më i madh, pa të nuk ndiheni e plotë?
SUMA: Muzika është një nga gjërat që unë s’mund të bëj pa të. Ky pasion filloj që në moshë të vogël. Unë rrjedh nga një familje muzikantësh. Babai im është muzikant, gjithashtu dhe xhaxha im. Pa muzikën nuk besoj se do isha e plotësuar, sepse gjithmonë kur performoj – kompletohem dhe në të njëjtën kohë kam një energji tepër të fortë që më vjen përbrenda dhe më plotëson.
KOHA: Kanita, cilat janë fillet tuaja më fushën e muzikës, dhe ç‘mbresa kanë lënë hapat e para në muzikë?
SUMA: Fillimet e mia në muzikë kanë qenë pikërisht në “X faktor Albania”,filloj gjithë¨çka në shtëpi një ditë motra ime më dëgjoj duke kënduar disa këngë të këngëtarëve të huaj në dhomën time dhe i shkoi në mendje që të më regjistronte në X faktor. Prindërit në fillim ishin kundër kësaj ide, sepse unë isha shumë e vogël në atë kohë. Kur shkova në Tiranë në audicion kisha një vetëbesim tepër i madh në veten time, mbasi e bëra provën e parë dhe ia dola. Kaluam dhe shumë kohë në Tiranë në këtë event tepër të madh siç është X faktor një patentë botëror ku talentet e rinj dalin në pah.
KOHA: Shkolla zë një kohë shumë të madhe të ditës tuaj , sigurisht dhe të rëndësishme. Çfarë mund të na tregoni për shkollimin tuaj dhe ëndrrat se ku do të vazhdoni të shkolloheni?
SUMA: Për momentin jam në shkollën e mesme të muzikës, në Shkup, jam në vitin e dytë për solo këndim. Gjithsesi shkolla zë një pjesë shumë të rëndësishme të ditës sime sidomos në këtë periudhë të jetës .Një nga ëndrrat e mia është që ta vazhdoj universitetin gjithashtu për muzikë sepse muzika zë një pjesë të madhe të jetës sime. Dhe normalisht që mbas mbarimit të universitetit besoj që do të jem dhe më e kompletuar nga ana profesionale.
KOHA: Si mendoni, ju jep Maqedonia hapësirë artistëve të ri të depërtojnë në skena?
SUMA: Të them të drejtën kam pasur përkrahje nga institucionet e ndryshme dhe afarist këtu në Maqedoni
Por sa shoh kohët e fundit sidomos bota e kulturës në vendin tonë ka një rënie të dukshme, njoh shumë talent të rinj që e kanë të vështirë për të depërtuar për shumë arsye sidomos dhe për ato ekonomike. Ka kohë që në Maqedoni s’ka dal një emër i njohur i ri në muzikë, pra nuk e di ku qëndron problemi se nuk merrem me të por gjithsesi do të doja që të kishim më shumë artistë nga Maqedonia që të ishin në estradën shqiptare.
KOHA: Publiku shqiptar, kur përmendet emri Kanita, menjëherë kthehet në skenën e Shqipërisë, si arritët deri te “X Faktori” dhe çfarë pas atij suksesi?
SUMA: Siç e thash pak më lartë, pikërisht “X Faktori” ka qenë fillimi i karrierës sime në muzikë, akoma i kam në mendje emocionet e këtij formati, audicionin për të hyrë në këtë format dhe ato ditë veçmas të para në Tiranë. Me të vërtetë kanë qenë mbresëlënëse për mua. Suksesi mbas x faktorit ka qenë tepër i madh për mua dhe me të vërtetë më ka ndjekur në çdo hap të jetës sime, ku më ka hapur shumë dyer dhe më ka rritur profesionalisht.
KOHA: Si lindi ideja për të realizuar këngën e parë, me një titull tërheqës?
SUMA: Menjëherë pas x faktorit vendosëm të realizojmë një këngë, menduam që të ishte diçka e veçantë dhe vendosëm që ta realizojmë tek Robert Bilbilov, ku doli një këngë tepër e mirë dhe ashtu siç e kishim menduar. Tekstin e bëri Lyrical Son dhe video klipin Gorilla Production. Titulli “Ëndrra ime” erdhi spontanisht duke e biseduar në studio së bashku me tekstshkruesin.
KOHA: Cilët janë bashkëpunimet tuaja si me tekstshkruesit, produksionet, këngëtarë e kompozitorë, etj?
SUMA: Kam bashkëpunuar me shumë tekstshkrues, producent dhe kompozitor disa nga ata janë: Darko Dimitrov, K Master, Boban Apostolov dhe shumë të tjerë. Më këngëtarë kam bashkëpunuar me Leonora Poloskën, Daim Lalen dhe të tjerë.
KOHA: Kanita, ke depërtuar jashtë kufirit të Maqedonisë, duke interpretuar këngë. KOHA: Çfarë mund të na tregoni për këto projekte?
SUMA: Po e vërtetë, ka qenë pikërisht kënga ime e fundit e titilluar “Don’t let me go” ajo që më çoj në tregun ndërkombëtar. Menaxheri im njihej prej kohësh me Boban Apostolov Producentin e këngës.
Dhe shkuam të dëgjonim një demo tek studio e tij, na pëlqeu shumë dhe vendosëm që ta bëjmë këtë këngë së bashku, ku edhe doli e suksesshme. Kënga në fillim u realizua gjysëm shqip gjysëm anglisht, më pas kontakteve të menaxherit tim me Heaven Music, në Greqi arritëm të nënshkruajmë kontratë dhe ta sjellim këngën në versionin anglisht. Kënga është duke ecur shumë mirë për momentin është duke numëruar në Youtube 7 milionë klikime dhe është një sukses me vete.
KOHA: Një rol të rëndësishëm në punën tuaj luan edhe menaxheri, i cili ka si qëllim të negociojë, për t’ju hapur rrugë në arenën e muzikës, si ballkanike ashtu edhe botërore. Sa rëndësi ka për një këngëtare, të ketë krah, menaxher?
SUMA: Në kohën e sotme është e domosdoshme të kesh një menaxher për shumë arsye duke filluar nga ato të zgjedhjes së këngëve deri tek zgjedhja e kompozitori dhe studios me të cilën duhet të besosh. E rëndësishme është që të kesh dhe një gjuhë të përbashkët me të dhe ti ndani idetë e njëjta. Unë me menaxherin tim Arian Demollin, kemi 1 vit që punojmë së bashku dhe kemi një bashkëpunim tepër të mirë deri tani dhe shpresoj që të jetë i tillë dhe në të ardhmen, ai di ta bëjë mirë punën e tij gjithashtu e njeh mirë këtë fushë duke pasur vite në botën e televizionit si prezantues.
KOHA: Cila është marrëdhënia juaj me mësuesit e muzikës dhe shokët e shoqet e klasës dhe si i kanë mirëpritur sukseset tuaja?
SUMA: Marrëdhënia ime me mësuesit dhe shokët e shoqet e klasës është tepër e mirë. Mësuesit mundohen gjithmonë të japin më të mirën si karshi meje dhe karshi nxënësve të tjerë, janë tepër të sjellshëm dhe të kujdesshëm në dhënien e mësimit dhe sjelljen e tyre ndaj nesh. Shokët e shoqet e klasës janë ata që më përkrahin në të gjitha aktivitetet e mia dhe shpesh herë më japin vullnet për projektet e radhës është me të vërtet interesante sa gëzojnë ata për sukseset e mia dhe karrierën time në përgjithësi. Jam tepër i kënaqur nga rrethi im shkollor dhe jam adaptuar në mënyrë tepër të mirë.
KOHA: Ju rridhni nga një familje që kanë traditë të muzikës dhe sa krenar janë familjarët me Kanitën?
SUMA: Unë rrjedh nga një familje muzikantësh dhe jam krenare për atë gjë. Ata në çdo hap të karrierës sime kanë qenë krenar dhe më kanë mbështetur. Babai im është muzikant me vite. Ai është klarinetist dhe shihet prezent në mbrëmje të ndryshme familjare. Motra ime e madhe ka mbaruar shkollën e muzikës dhe gjithmonë është një nga tifozët e mia dhe të karrierës sime dhe në të njëjtën kohe me sugjeron për shumë gjëra. Gjithashtu xhaxhai im është muzikant së bashku me djalin e tij dhe kjo gjë besoj se e kompleton në mënyrën më të mirë muzikën në familjen time. Shpresoj që të vazhdoj ti bëjë krenar dhe në të ardhmen duke e ditur që më pret një rrugë e gjatë.
KOHA: Duke iu referuar lidhjes tuaj me muzikë, ç’është dashuria për artin, muzikën?
SUMA: Besoj se muzika është një art që të plotëson të bën që të jesh në shumë momente në një tjetër dimension, besoj se ju ka ndodhur shumë prej jush që të keni një ditë të keqe dhe të dëgjoni muzikë. Dhe të harroni çdo gjë, që ju kishte munduar. Muzika është një dashuri e papërshkrueshme sado që mundohem ti jap një definicion shpesh herë mendoj se muzika është një dashuri pa limite është një dashuri e papërsëritshme. Kur je një këngëtare dhe do muzikën dhe e interpreton në mënyrën e duhur atëherë ajo plotësohet është më shumë mendoj. Në çdo ditë të jetës sime unë kam një lidhje të veçantë me muzikën si në shkollë ashtu dhe në shtëpi ku çdo ditë e praktikoj dhe plotësohem në maksimum.
KOHA: Ku dëshiron Kanita të arrijë dhe çfarë përkrahje i nevojitet një artisti, që ka talent, por mungesë mundësie?
SUMA: Dëshiroj të arrij majat e muzikës botërore megjithëse e di që është e vështirë, unë po punoj çdo ditë e më shumë që të jem aty ku duhet. Normal që duhet përkrahje nga institucione dhe afarist të ndryshëm që kanë mundësi sidomos në këtë moment të karrierës sime ku përkushtimi dhe financat luajnë një rol tepër të madh. Gjithashtu jo vetëm mua por dhe shumë talenteve të rinj duhet ti jepet më shumë vëmendje dhe një investim si nga ana e institucioneve përkatëse dhe atyre firmave që kanë mundësi të ndihmojnë talentet e rijnë. Ne shqiptarët kudo që jemi nëpër botë kemi talent të madh thjeshtë duhet dikush të hedh sytë nga ne dhe të na japin mundësinë në momentin e duhur ti tregojmë botës që jemi këtu.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.