Romina Sala, motra e futbollistit të zhdukur Emiliano Sala, ka postuar një fotografi prekëse ku shfaqet qeni i sulmuesit, Nala, që pret kthimin e argjentinasit.
“Nala po pret për ty”, shkruan motra e tij, që jeton në Argjentinë dhe ka një fëmijë të vogël. Që prej zhdukjes së Sala-s, Romina e ka kthyer faqen e saj në Faecbook në një faltore për vëllain e saj.
Qeni i futbollistit shfaqet në foto duke parë nga qielli, ndoshta duke shpresuar se herët a vonë do të shfaqet në derë i zoti.
Sala, 28 vjeç, kishte udhëtuar me avionin e vogël privat Piper Malibu, për të takuar miqtë e tij, si dhe qenin e tij, para se të transferohej në Uells, ku do të luante për Cardiff City-n në Premier Ligën angleze.
Sala e kishte marrë qenin e vet Nala nga një strehë për qentë e braktisur dhe e shëtiste rregullisht në vreshtat e qytezës Carquefou, në veri të Nantes, ku kishte shtëpinë.
Në Instagram Sala postonte shpesh foto me qenin e vet, të cilin e quante “anëtari i ri i familjes” dhe “miku besnik”.
Në mënyrë tragjike, avioni që po çonte Salën në Angli u rrëzua në Kanalin Anglez në Guernsey dhe dy javë pas zhdukjes janë gjetur mbeturinat e avionit, 63 metra nën ujë, ndërsa video e regjistruar tregoi se brenda avionit ishte një trup, i pilotit David Ibbotson ose futbollistit.