Përvjetori i 115-të i Kongresit të Alfabetit do të sjellë në Manastir për një javë rresht ngjarje të ndryshme kulturore, që do të zhvillohen në Muzeun e Alfabetit dhe kinemanë e qytetit. Java e filmit shqiptar, ekspozita, orë letrare, promovime, koncerte janë disa nga aktivitetet e programit festiv
Evis HALILI
Shkup, 8 nëntor – Filma shqiptarë, ekspozita, orë letrare, promovime…, janë disa nga aktivitetet me të cilat do të shënohet përvjetori i 115-të i Kongresit të Alfabetit në qytetin e Manastirit. Muzeu i Alfabetit në Manastir ka nisur përgatitjet për shënimin e kësaj date. Ekspozita me fotografi e dorëshkrime, orë letrare, promovime librash, janë disa nga aktivitetet e planifikuara “ Ndër dritën e shkronjave”, që këtë vit që do të nisin më datë 17 nëntor për t’u mbyllur me 22, kur përfundoi punimet Kongresi.
Po ashtu Qendra Informative e Kulturës së Manastirit dhe shoqata “22 Nëntori” në bashkëpunim me Arkivin shtetëror të filmit të Shqipërisë sjellin javën e filmit shqiptar në kinemanë Manaki në Manastir.
“Festat e rëndësishme të Nëntorit sjellin një bashkëpunim mes institucionesh për organizimin e Javës së Filmit Shqiptar nga 18 – 25 nëntor. Një aktivitet i pari i këtij lloji në Manastir që nis me premierën e filmit të restauruar Mësonjëtorja në vendin ku mësoi Sevasti Qiriazi para se të vinte në Shqipëri e të hapte shkollën e parë shqipe të vashave. Kjo shfaqje mbahet edhe me rastin e 115 vjetorit të Ditës së Alfabetit Shqip dhe Kongresit të Manastirit”, thuhet në njoftimin e Arkivit Shtetëror të Filmit. Bëhet fjalë për shfaqjen e filmave “Mësonjëtorja”, “Zonja nga qyteti”, Beni ecën vetë”, “Gjeneral Gramafoni”, “Përrallë nga e kaluara” dhe “Shoku ynë Tili”.
Drejtori i Muzeut Zait Aliu thotë për KOHA se në këtë përvjetor kanë synuar të sjellin dokumente të rëndësishme përmes bashkëpunimit me institucionet si Arkivi i Shqipërisë, në ekspozitën “Një komb – një ABC”, apo ekspozitën me imazhe e materiale të tjera për delegatët e kongresit.
Kongresi i Manastirit,i njohur ndryshe edhe si Kongresi i unifikimit të një alfabeti të gjuhës shqipe është tubimi i dijetareve shqiptarë më 14 nëntor deri më 22 nëntor të vitit 1908 në Manastir, në qendrën e atëhershme të Vilajetit për përcaktimin e alfabetit të gjuhës shqipe. “22 Nëntori” – dita e kongresit të shkronjave shënohet zyrtarisht vetëm në Maqedoni, ndërsa në Kosovë e Shqipëri mbahen aktivitete të ndryshme.
22 Nëntori në Shqipëri shënohet si Dita Arbëreshe ku Tirana mirëpret shqiptarët nga mbarë bota, në Samitin III të Diasporës, që do të mbahet më 22 dhe 23 Nëntor. “Një rikthim në vendin e Shqiponjave, duke përqafuar trashëgiminë shqiptare, Kongresi i Arbëreshëve dhe Samiti i Diasporës do të shërbejnë si pikëtakimi për t’i dhënë vëmendjen që meriton shqiptarëve në fushën e arsimit, shëndetësisë, biznesit, artit dhe kulturës, dhe duke e parë Diasporën si një vlerë dhe pasuri e kombit”, thuhet në njoftimin e kryeministrit të Shqipërisë. (koha.mk)