Laura PAPRANIKU
Shkup, 16 shkurt – Sistemi arsimor në Maqedoni ka nevojë për ndryshime të shumta, duke nis nga ato që konsiderohen si përsosje, deri te nevoja për reforma solide, thelbësore dhe gjithëpërfshirëse, shkruan gazeta KOHA. Ky është perceptimi i të rinjve, të moshës nga 15 deri 19 vjet të anketuar nga profesorë universitar në kuadër të projektit “Trendet e të rinjve në Maqedoni”, e që është porositur 2014-ën nga Agjencia për Rini dhe Sport dhe realizuar nga Institutit për Kërkime Sociologjike, Politike dhe Juridike në Shkup.
Ajo që bie në sy është masa dërmuese e të anketuarve për ndryshime në sistemin arsimor. 98 për qind e nxënësve dhe studentëve të anketuar, janë shprehur në një formë se sistemi ka nevojë për ndryshime. Në Analizën përkatëse jepen të dhëna të cilat tregojnë se vetëm 1.1 për qind e të anketuarve mendojë se arsimi është “i shkëlqyer, nuk ka nevojë për ndryshime”, kurse 20. 3 për qind se është “solid, çdo herë ka nevojë të përsoset”. Pjesa dërmuese, rreth 79 për qind shprehen qartë se sistemit arsimor i duhen ndryshime edhe atë: 41 për qind se “i duhen ndryshime solide”, 24.4 për qind se “i duhet me të vërtetë ndryshime serioze” dhe 13.1 për qind se arsimi “duhet të ndryshojë tërësisht”. Për anketimin është shfrytëzuar e ashtuquajtura “shkalla e Likertit”, e cila jep pesë opsione zgjedhje nga “pajtohem plotësisht” deri te “nuk pajtohem aspak”. Në rastin e perceptimit mbi sistemin e arsimit, bën përshtypje se një e treta e të rinjve e vlerësojnë sistemin si “të keq” dhe “të pa përshtatshëm”. Konkretisht këtë ndjesi e kanë dy grupet e fundit, 24.4 përqindëshi që thotë se sistemi arsimor është “i keq, duhen me të vërtetë ndryshime serioze” dhe 13.1 përqindëshi që thotë se është “i pa përshtatshëm, duhet të ndryshojë tërësisht”. E analizuar sipas gjinisë, përkatësisë fetare dhe etnike ka dallime në mënyrën se si përgjigjen të rinjtë për të njëjtën pyetje. Të anketuarat femra kanë tendencën e vlerësimeve pozitive, pra janë më tepër pjesëmarrëse në përgjigjet se arsimi është “i mirë, por i duhen reforma solide” apo se është “solid, por çdo herë ka nevojë për përsosje”.
Ndërkaq, në ndarjen sipas përkatësisë etnike, shqiptarët janë ata që bëjnë diferencën. Të ndarë në tri grupe: maqedonas, shqiptarë dhe të tjerë (turq, romë, vllahë, serbë dhe boshnjak) shqiptarët mendojnë dyfishë më shumë se maqedonasit dhe të tjerët se arsimi është “i pa përshtatshëm, duhet të ndryshojë tërësisht”. Këtë përgjigje kanë dhënë 20. 7 për qind e të rinjve shqiptarë, për dallim prej maqedonasve që për këtë përgjigje janë përcaktuar 10.2 për qind e tyre, si dhe e kategorisë të tjerë të cilët janë përcaktuar për këtë përgjigje në masën 10.6 për qind.
Arsimi ka qenë vetëm njëra prej tetë fushave për të cilat është bërë hulumtim me 1190 persona të moshës 15 – 29 vjet, që në nivel shteti përbën 457 4771 persona ose rreth 23 për qind të numrit të përgjithshëm të popullatës. Kjo grup moshë njëkohësisht përbëj edhe popullatën dërmuese në arsimin e mesëm dhe të lartë, çka i shton edhe më shumë relevanten kampionin të zgjedhur për matjen e perceptimeve mbi çështjet e arsimit. Në analizës “Trendet e të rinjve” nënvizon se është mbajtur llogari edhe për përfshirjen proporcionale të të rinjve, sipas përkatësisë etnike, bazuar në regjistrimin e fundit të popullsisë, të vitit 2002. Pra 63 për qind e atyre që janë përfshirë në hulumtim janë maqedonas, 27.3 për qind shqiptarë dhe 9.7 për qind.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.