“Jemi dëshmitarë se kohëve të fundit kemi ndryshime të mëdha të temperaturave qofshin ato ditore apo qofshin prej një dite në ditën tjetër, pra kemi 35 gradë celsius, pastaj temperaturat bien në 20 dhe kjo normalisht se ndikon në shëndetin e qytetarëve dhe i prek të gjithë”, thotë Bekim Ismaili, mjek i përgjithshëm
Urim HASIPI
Tetovë, 7 gusht – Kushtet klimatike jo stabile, si dhe luhatja e temperaturave në periudhën e fundit, kanë ndikuar dukshëm në përkeqësimin e shëndetit të qytetarëve, në veçanti tek të sëmurët kronik, tek pleqtë dhe fëmijët. Javëve të fundit gjatë paradites ka mbizotëruar mot i nxehtë dhe me diell, ndërkaq pasdite ka pasur reshje të dendura të shiut, shkruan gazeta KOHA. Mjekët thonë se kjo gjendje e paqëndrueshme e motit shpesh është manifestuar me ngritjen e lartë të tensionit të gjakut, me probleme të theksuara në sistemin frymëmarrjes, me temperatura, të vjella dhe kështu me radhë.
“Gjithsesi se çdo ndryshim klimatik ndikon në shëndetin në përgjithësi të qytetarëve, dhe posaçërisht i prek dhe i tangon më së shumti më të moshuarit dhe më të vegjlit. Jemi dëshmitarë se kohëve të fundit kemi ndryshime të mëdha të temperaturave qofshin ato ditore apo qofshin prej një dite në ditën tjetër, pra kemi 35 gradë celsius, pastaj temperaturat bien në 20 dhe kjo normalisht se ndikon në shëndetin e qytetarëve dhe i prek të gjithë”, thotë për KOHA, Bekim Ismaili, mjek i përgjithshëm. Prandaj mjekët rekomandojnë që qytetarët të konsumojnë sa më shumë lëngje, të mos ekspozohen në diell dhe të qëndrojnë në ambiente më të freskëta, ndërsa të sëmurët kronik të marrin terapinë e nevojshme që rekomandojnë mjekët.
“Fillimisht ndikon te disponimi ynë në përgjithësi, pastaj ndikon tek ushqimi ose si pasojë e rritjes dhe rënies së temperaturave, ne nuk kemi mundësi të kujdesemi dhe ta ruajmë ushqimin që konsumojmë në kushte adekuate me temperaturë të duhur. Gjatë konsumimit të ushqimeve kemi paraqitjen e problemeve të sistemit të tretjes, probleme me dhimbje të barkut e cila është e përcjellë me vjellje me diare e kështu me radhë dhe, normalisht se këto pacient pastaj paraqiten në ordinancat tona për të kërkuar ndihmë”, shprehet Ismaili.
Në këtë periudhë paraqiten edhe alergjitë e ndryshme, prandaj edhe kërkohet më shumë kujdes. “Poashtu kemi edhe paraqitjen edhe të alergjive të ndryshme për shkak të ndryshimit të temperaturave, dhimbjet që paraqiten tek pacientë të ndryshëm, të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme reumatike dhe posaçërisht ata të cilët të sëmurë kronik, të cilët normalisht se duhet të kenë kujdes më të veçantë për shëndetin e tyre. Këta të fundit duhet që terapinë e tyre ta marrin në kohën e duhur, të konsumojnë sa më tepër lëngje…”, deklaron mjeku Ismaili.
Në këtë periudhë, krahas këtyre sëmundjeve, po ashtu paraqiten edhe kafshimet nga insektet e ndryshme dhe mjekët shtojnë se në këto raste – duhet të kërkohet ndihmë mjekësore. Përndryshe meteorologët paralajmërojnë se moti i ngjashëm do të jetë edhe për disa ditë, ndërsa më pas – në ditët e para të muajt gusht, përsëri pritet të mbizotërojë mot i nxehtë me diell ku do kemi rritje të theksuar të temperaturave. (koha.mk)