Në Kuvend filloi debati për Propozim-buxhetin e Republikës së Maqedonisë, i cili është në rend dite të Komisionit amë për financim dhe buxhet.
Propozim-buxhetin para anëtarëve të Komisionit do ta elaborojë ministri i Financave Dragan Tevdovski
Të ardhurat e përgjithshme në arkën shtetërore për vitin 2019 janë projektuar në 210,8 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet e përgjithshme në 228,5 për qind, ndërsa shkalla e inflacionit është dy për qind. Deficiti buxhetor është projektuar në 2,5 për qind apo 17,7 miliardë denarë që është për 500 milionë denarë më pak krahasuar me këtë vit.
Në buxhet janë paraparë paga më të larta në shëndetësi, arsim dhe mbrojtje, më shumë para për reformat në mbrojtjen sociale dhe fëmijërore dhe në sistemin pensional si dhe mjete për futjen e “naftës së gjelbër” në bujqësi.
Sipas projeksioneve të Ministrisë së Financave për rroga dhe kontribute në administratën publike janë paraparë 28,3 miliardë denarë, ndërsa për pensione 56,4 miliardë denarë. Nga Buxheti në Fondin për SPIM do të transferohen 28,1 miliardë denarë.
Dy miliardë e dyqind milionë denarë janë planifikuar për sistemin e reformuar për mbrojtje sociale dhe fëmijërore, ndërsa planifikohet edhe vendosja e pensionit social për rreth 6.000 persona, të cilët kanë të paktën një ditë stazh pune dhe kanë mbushur moshën 65-vjeçare.
Investimet kapitale janë projektuar në 25,7 miliardë denarë, ndërsa ministri i Financave pret që vitin e ardhshëm të përshpejtohet realizimi i këtyre projekteve.