Vedat MEMEDALIU
Shkup, 13 maj – Qeveria e Maqedonisë radhitet ndër institucionet shtetërore me më pak shqiptarë të punësuar. Në kupolën kryesore të vendimmarrjes politike, ekonomike, sociale dhe shoqërore në vend, shqiptarët zënë vend me 6.81 për qind, ndërsa në Shërbimet e Qeverisë, përfaqësimi i drejtë është edhe më i vogël – gjithsej 4.72 për qind, shkruan gazeta KOHA. Madje, në Qeveri, të punësuarit e etnitetit rom dhe turq dalin më të përfaqësuar sesa shqiptarët, konkretisht 8.99 për qind të punësuar rom dhe 9.54 turq. Se ka ngecur përfaqësimi gjatë tërë vitit të kaluar, tregon edhe “Raporti 2016” për punonjësit e administratës, i përpiluar nga Ministria e Informatikës dhe Administratës. Ky raport tregon se nëse në vitin 2015, përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore ka qenë 18.8 për qind, përfundimisht me dhjetorin e vitit 2016 përfaqësimi ka arritur në 19.29 për qind, ose rritje për vetëm 0.49 për qind. Edhe pse pikërisht në objektin e Qeverisë gjendet kabineti i zëvendëskryeministrit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Festim Halili, i njëjti nuk ka arritur të lëvizë përqindjen e përfaqësimit të shqiptarëve, ashtu siç ka bërë, për shembull, Parlamenti i Maqedonisë, ku shqiptarët përfaqësohen me 25.18 për qind, apo edhe Ministritë në përgjithësi, ku etniteti i dytë për nga shumica përfaqësohet me 20.44 për qind. Në Parlament, ku e njëjta parti politike shqiptare vazhdon të jetë në pushtet, shqiptarët përfaqësohen me 25.18 për qind në të gjitha sektorët e saj, ndërsa romët, serbët, turqit dhe të tjerët nuk e kalojnë as 1.5 përqindëshin. Situatë e njëjtë është edhe në Ministritë e marra së bashku. Shqiptarët në Ministri përfaqësohen me 20.04 për qind, kundrejt 73.56 për qind maqedonas, 1.06 serb, 0.95 rom, si dhe 1.80 turq.
PMINISTRAT MË TË SUKSESSHËM SE ZËVENDËSKRYEMINISTRI
Zëvendëskryeministri Halili nuk ka arritur të lëviz përfaqësimin as në Ministrinë e Financave, dhe as në Ministrinë e Informatikës dhe Administratës, dy ministri të rëndësishme këto – njëra merret me konkurset për pëlqimet e punësimit dhe tjetra me pëlqimin e financimit të të njëjtave. Në Ministrinë e Informatikës dhe Administratës, shqiptarët kanë mbetur në 7.80 për qind, derisa në Ministrinë e Financave 10 për qind. Por, ndryshe nga përfaqësimi tepër i dobët në Qeveri dhe shërbimet e saj, situatë krejtësisht ndryshe është në ministritë që drejtohen po nga bashkëpartiakët e Halilit. Në Ministrinë e Arsimit, shqiptarët përfaqësohen me 30.27 për qind, në Ministrinë e Drejtësisë 35.40 për qind, në Ministrinë e Ambientit Jetësor 32.30 për qind, në Ministrinë e Ekonomisë 46.81 për qind, derisa në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale përqindja e shqiptarëve të punësuar shkon në 56.83 për qind – ose më shumë se të gjitha etnitetet tjera së bashku. Përfaqësim të mirë të shqiptarëve ka edhe në Ministrinë e Shëndetësinë, edhe pse katër vitet e fundit – kjo ministri udhëhiqet nga kuadër maqedonas. Në këtë ministri, shqiptarët përfaqësohen me 31.39 për qind, në Ministrinë e Kulturës 31.5 për qind e të punësuarve janë shqiptarë, ndërsa në Ministrinë e Punëve të Jashtme – shqiptarët arrijnë në 21.81 për qind.
HALILI PËRMEND UNT-NË, PUNËSIMIN E PROFESORËVE, POLICËVE…
Në ndërkohë, zëvendëskryeministri Festim Halili në përgjigjet drejtuar gazetës KOHA, thotë se megjithatë, duhet theksuar që në vitin 2016 ka një ngritje në përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve edhe përkundër faktit që, siç shprehet ai, “vendi ka qenë në krizë të vazhdueshme politike dhe duke qenë pjesë e qeverisë teknike me ingerenca jo të plota”. Megjithëse asnjë fjalë për përfaqësimin e dobët në Qeveri, ai përmend punësimin e profesorëve dhe administratorëve në Universitetin e Tetovës, konkurset dhe punësimin në polici, në “Postat e Maqedonisë”… “Në muajt që ka pasur hapësirë ligjore për punësim, ne me seriozitetin më të lartë kemi vepruar në këtë fushë. Për të qenë më pragmatik, në vazhdim do të potencojmë disa të arritura në këtë fushë. Gjatë ribalancit të buxhetit të vitit 2016, ne insistuam që të ndajmë buxhet nga programi K5 i Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, për punësimin e 100 profesorëve dhe administratorëve në Universitetin e Tetovës. Tanimë këto punësime janë bërë realitet dhe kapacitetet e burimeve njerëzore në këtë vatër të dijes janë përmirësuar dukshëm. Më pas, për dy fakultetet e reja që themeluam me vendim të Qeverisë, Fakultetin e Bujqësisë dhe Pedagogjisë, ne siguruam edhe 30 vende shtesë. Në konkursin e fundit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke parë praktikat e më hershme të pranimit simbolik të shqiptarëve, në qeveri ngritëm çështjen dhe morëm vendim, që më së paku 25% e të pranuarve të jenë shqiptarë, me këtë rast u punësuan 160 policë shqiptarë”, thotë Halili, duke mos lënë pa e përmendur edhe konkursin e Universitetit “Nëna Terezë” në Shkup. “Në Universitetin ‘Nënë Tereza’ në Shkup hapëm vende pune për afër 90 profesorë, ku shumica ishin shqiptarë. Në ‘Postën e Maqedonisë’ u punësuan 55 shqiptarë. Në klinikat e vendit kemi punësuar mbi 130 shqiptarë, si dhe në shumë institucione të tjera. Këto numra mund të verifikohen edhe në institucionet e lartpërmendura”, përgjigjet Halili, duke shtuar se SIMO jep pëlqim edhe për çdo punësim që bëhet nga institucionet publike, e të cilat njëkohësisht janë të obliguara që të respektojnë Ligjin për punësim në institucionet publike duke respektuar kalkulatorin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. “Pra, ne do të vazhdojmë angazhimet tona për rritjen e përfaqësimit të drejtë në të gjitha institucionet ku nuk është arritur përqindja e nevojshme ashtu siç parashihet me MO-në, përkatësisht Kushtetutën e vendit”. Halili flet edhe për sistematizimin e administratorëve shqiptarë, tashmë të punësuar por që nuk kanë nisur punën, ndërsa thirret në të ashtuquajturën “Programi K5” i vitit 2009, program që parasheh punësimin e qytetarëve të bashkësive të ndryshme etnike, me theks të veçantë shqiptarëve. “Potencojmë që vitin e kaluar, më saktësisht më 27.07.2016, ne propozuam Plan për shpërndarje të administratorëve në institucione të tjera, në veçanti aty ku përfaqësimi i drejtë është më i ulët. Pas përpjekjeve të shumta dhe debateve maratonike, u arrit një kompromis që në fazën e parë të shpërndahen gjysma e numrit të përgjithshëm – 700. Sipas Ligjit, procedurat e transferit janë më komplekse sesa perceptohen. Për të realizuar një transfer, procedura fillon nga nënshkrimet e marrëveshjes mes institucioneve, më pas edhe nga i punësuari. Procedura vazhdon te Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, e cila duhet të jep pëlqim për transfer. Më pas, Ministria e Financave jep pëlqim për transfer të mjeteve financiare nga institucioni amë tek institucioni që transferohet administrator. Agjencia për punësim ka për detyrë të bëj ç’lajmërimin dhe lajmërimin e të punësuarit në institucionin e ri. Në vitin 2016 numri i transfereve do të ishte akoma më i madh, por shpallja tre here e zgjedhjeve të parakohshme pamundësoi procesin dhe në bazë të mendimit të Agjencisë për Antikorrupsion dhe Kodit zgjedhor, ndërpritet çdo punësim ose transfer, që nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në formim të qeverisë së re”, thotë zëvendëskryeministri, duke shtuar se sistematizimi i të punësuarve në konkurset publike të SIMO-s është një problem të cilin ai e ka trashëguar.
MUNGON VULLNETI POLITIK PËR PËRFAQËSIMIN
“Pas emërimit tim në këtë post, i jemi qasur me shumë seriozitet kësaj çështjeje dhe kemi kaluar edhe Informatën për sistematizimin e atyre administratorëve që ende janë të pa sistematizuar. Pas vendimit të Qeverisë, ky proces filloi të realizohet, ku një numër i tyre u sistematizuan, ndërsa pjesa tjetër ngecën në procedurë për arsye të fazës parazgjedhore, që rezulton në pamundësi të realizimit të mëtejshëm. Shpresojmë se pas tejkalimit të kësaj situate, do të vazhdojnë procedurat për sistematizimin e administratorëve të tjerë dhe përqindja e punonjësve shqiptarë dhe bashkësive tjera etnike të jetë në rritje”. Në ndërkohë, numri i administratorëve shqiptarë të pasistemuar arrin në 1400. Halili në përgjigjen drejtuar gazetës KOHA për përfaqësimin jo të mjaftueshëm të shqiptarëve përmend edhe mungesën e vullnetit politik për implementimin e Analizës së Marrëveshjes së Ohrit, të përgatitur në bashkëpunim me Institutin Evropian për Paqe dhe OSBE. “Kjo analizë u pranua nga Komisioni politik, që udhëhiqet nga unë si zëvendëskryeministër në kuadër të Qeverisë dhe e njëjta u miratua dhe tani është në pritje të miratohet të seancë të rregullt. Për fat të keq, po potencoj se ka munguar edhe vullneti politik për miratimin e këtij dokumenti”. Halili, mes tjerash potencon se SIMO, çdo vit përgatit edhe programin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ku, siç thotë ai, të gjitha planet janë të definuara dhe të përcaktuara qartë. “Njëkohësisht, SIMO ndjek zbatimin e këtij obligimi në të gjitha institucionet tjera në pajtueshmëri me dispozitat ligjore dhe po ashtu kërkon nga ata planin vjetor të punësimeve, i cili duhet përpiluar konform përqindjes adekuate në bazë të përfaqësimit të drejtë të përcaktuar në Marrëveshjen e Ohrit”. Ndryshe, 16 vite pas Marrëveshjes së Ohrit, shqiptarët akoma nuk e kanë arritur kuotën e përfaqësimit të drejtë të paraparë me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën e vendit. Në dhjetor të vitit të kaluar, shqiptarët në institucionet e shtetit përfaqësohen me 19.29 për qind, ose 82.900 punonjës nga gjithsej 110.311.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara