Urim HASIPI
Gostivar, 26 korrik – Dy të vdekur dhe disa të tjerë të hospitalizuar në Klinikën e Infektologjisë në Shkup. Ky është bilanci i helmimit misterioz në fshatin Simnicë të Komunës së Gostivarit. Rasti i parë ka ndodhur të hënën, kur një person i moshuar i familjes Miftari nga ky fshat ka kërkuar ndihmë mjekësore në Repartin e Infektologjisë në Spitalin e Gostivarit me vjellje dhe barkëqitje. Duke parë se gjendja e tij është përkeqësuar, ai është dërguar për në Klinikat e Shkupit, ku edhe ka ndërruar jetë. Në ndërkohë, të mërkurën në mëngjes, edhe djali i tij 23 vjeçar, ka kërkuar ndihmë mjekësore në Shkup, por edhe ai ka ndërruar jetë. Sipas informacioneve jozyrtare, kjo familje merret me ruajtjen e bagëtisë dhe së këndejmi kanë rrjedhur shumë dezinformata lidhur me këtë tragjedi.
“Sipas informatave nga Reparti i Infektologjisë, kuptuam se kemi një tragjedi, ku prej familjes Miftari nga Simnica kanë ndërruar jetë babë e bir. Shkakun ende nuk e dimë. Ajo që dihet është se prindi para disa ditëve ka shkuar në trajtim në klinikat e Shkupit, pa kërkuan ndihmë te ne, ndërsa dje djali ka ardhur dhe ka kërkuar ndihmë në Repartin e Infektologjisë, mirëpo kur mjeku ka parë se gjendja është përkeqësuar, ka vendosur që ta transportojë në Klinikën e Infektologjisë në Shkup. Sot e morëm lajmin e hidhur se edhe ai ka ndërruar jetë”, deklaroi drejtori i Spitalit të Gostivarit, Ylber Ademi.
Më pas duke parë këtë gjendje, shumë banorë të këtij fshati, të frikësuar dhe në panik, kanë kërkuar ndihmë në Repartin e Infektologjisë në Spitalin e Gostivarit. Katër prej tyre kanë pasur po ashtu përkeqësim të gjendjes shëndetësore, të cilët dyshohen se kanë qenë në kontakt me familjarët dhe janë drejtuar për në Klinikat e Shkupit, ku edhe u janë nënshtruar analizave shtesë. “Sipas informatave të kryeshefit të Infektologjisë, simptomat janë vjellje, barkëqitje, dikush ka qenë me temperaturë, dikush ka qenë pa temperaturë. Analizat kanë treguar se ka devijim të pasqyrës së gjakut, dhe kur është përkeqësuar gjendja është dërguar në Shkup. Bëhet fjalë për pesë raste, saktësisht katër, sepse njëri ka shkuar vet në Shkup. Të gjitha pothuajse kanë ardhur me simptoma gati të ngjashme, mirëpo me fotografi klinike pak më të dobët dhe për shkak të aspektit preventive mjekët kanë vendosur që t`i dërgojnë në Shkup. Kemi edhe raste tjera, ndoshta për shkak të panikut, të cilët kanë pasur kontakt me familjarët dhe kanë vendosur që vet të shkojnë në Shkup, pa përcjellje mjekësore”, ka thënë drejtori i Spitalit Klinik të Gostivarit, Ylber Ademi. Kryetari i Komisionit për sëmundje infektive në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, Zvonka Mulenkoviq, gjegjësisht drejtor i Klinikës Infektive, tha se njëri prej të vdekurve është i moshës 50 vjeçare, kurse tjetri 23 vjeçare, të cilët kur kanë kërkuar ndihmë mjekësore kanë qenë në gjendje të rëndë shëndetësore me temperaturë të lartë, vjellje dhe barkëqitje.
“Bëhet fjalë për gjendje fibrile të shtrëngimit të funksionit të mushkërisë së zezë, veshkave dhe faktorëve koagulues”, tha Milenkoviq. Ai theksoi se në klinikë nuk ka karantinë, por vetëm janë izoluar katër persona të hospitalizuar dhe nuk ka vend për panikë. Megjithatë, gjatë ditës me dhjetëra banor të fshatit Simnicë kanë shkuar në Spitalin e Gostivarit për të bërë analizat dukshëm të frikësuar. Ende ka mbetur e paqartë se nga ka ardhur vdekja e dy personave nga fshati Simnicë, ndërsa autoritetet e shëndetësisë nuk kanë dhënë detaje për prejardhjen e këtij rasti.