Urim HASIPI
Tetovë, 9 janar – Tetova vazhdon të ketë numër të madh të shfrytëzuesve të lëndëve narkotike gjegjësisht drogës, shkruan gazeta KOHA. Kryesisht dominon mosha rinore, e cila ndonjëherë për kërshëri provon drogën dhe më pas vështirë heq dorë. Janë disa vende të braktisura në këtë qytet ku është “fshehtësi publike”, të cilët përdoren për të konsumuar drogë. Pjesa më e madhe e përdoruesve të drogës në Tetovë shfrytëzojnë objektet e vjetra, të pabanuara dhe shumë pak të frekuentuara nga qytetarët duke krijuar kështu shpesh herë çerdhe të narkomanëve sidomos në hapësirat e qendrës sportive, por nuk mungojnë përdoruesit edhe në qendrat tregtare, bodrume të banesave. Këtë e konfirmojnë edhe nga Policia e Tetovës, e cila nënvizon se gjatë vitit të kaluar ka lëshuar 32 fletëparaqitje për 36 vepra penale ndaj 43 personave.
“Shërbimet e Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë në kontinuitet locojnë dhe në mënyrë adekuate përpunojnë vendgrumbullimet e përdoruesve të drogës në qytetin e Tetovës dhe ndërmarrin aktivitetet konkrete dhe adekuate për sanksionim ligjor për përdorim dhe prodhim të pautorizuar si dhe lëshim në treg të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekusorëve. Përdoruesit shpesh ndërrojnë vendet dhe objektet e frekuentimit, dhe kryesisht zgjedhin objekte të vjetra dhe të braktisura, bodrume apo objekte të pashfrytëzuara. Gjatë 2016, policia e Tetovës ka lëshuar 32 paraqitje penale për 36 vepra penal të kësaj natyre, në të cilën kanë qenë të involvuar 43 persona. Për këto vepra penale, ligji parasheh dënim me burg prej 3 deri në 10 vjet. Përveç në rastet kur bëhet fjalë për sasi më të vogla, dënimi është nga 6 muaj deri në tre vjet, kurse për ndërmjetësim dënohen nga 1 deri në 5 vjet”, thotë për KOHA, Marijan Josifovski, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë. Në ndërkohë Qebir Avziu, profesor universitarë i kriminalistikës, nënvizon se në bazë të ligjit nuk ka sanksione për përdoruesit e drogës, por vetëm për ata që kapen duke trafikuar. Ai thotë se në Tetovë dhe Gostivar, sipas statistikave që ai ka në dispozicion, janë diku rreth 400 përdorues të drogës zyrtarisht, por ky numër është trefish më i madh. “Për shfrytëzim apo konsumim nuk parashihet dënim me burg për personin që kapet. I njëjti ka gjobë vetëm në të holla. Sipas disa shifrave zyrtare, janë rreth 400 përdorues të drogës në bazë të evidencës së policisë. Nëse këto shifra shumëzohen me tre, pasi që përllogaritja bëhet, nëse një përdorues evidentohet tre të tjera nuk janë në evidencë, prandaj shifra del se kemi mbi 1200 përdorues të drogës në Tetovë dhe Gostivar”, thotë Avziu. Ai nënvizon se shteti, personat që përdorin drogë, i llogarit si të sëmurë dhe me vendim të gjykatës ata dërgohen në qendrën për shërim me metadon. “Këta persona shteti i trajton si të sëmurë dhe të njëjtit me vendim të gjykatës obligohen që të shkojnë në terapi për shërim me Metadon. Në qendrën për shërim janë rreth 100 persona të evidentuar, por edhe ata marrin terapinë për 10 apo 20 ditë e shesin dhe më pas blejnë drogë. Pra, shteti nuk parasheh dënime për këta, nëse kapen ata largohen nga vendet publike dhe marrin dënim vetëm për kundërvajtje dhe nuk trajtohet si vepër penale dhe këtu përfundon puna e policisë. Më pas, me ato merret shteti që duhet t`ju sigurojë trajtim mjekësorë”, thotë profesori Qebir Avziu. Ndonëse vite me radhë policia organizon orë edukative për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme që të shmangen nga përdorimi i drogës, megjithatë numri i përdoruesve të drogës shënon rritje. “Vitin e kaluar janë lëshuar 15 kërkesa për shkelje të ligjit për rendin dhe qetësinë publike ku parashihen dënime nga 200 deri në 500 euro. SPB-ja e Tetovës realizoi disa projekte preventive me të rinjtë duke i informuar për pasojat e shfrytëzimit të drogave si nga ana mjekësore po ashtu edhe nga ana ligjore”, thonë në Policinë e Tetovës. Nga ana tjetër, qytetarët e Tetovës thonë se shteti duhet që të punojë më shumë me këta persona që të njëjtit të shërohen, ndërsa ankohen se në shumë vende gjejnë injeksione të cilët hidhen gjithandej nga ana e përdoruesve dhe të njëjtat lehtë mund të bien në dorë të fëmijëve.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.