Dalin detaje të reja lidhur me aeroplanin rus të rrëzuar në Detin e Zi mëngjesin e sotëm, teksa ishte nisur drejt provincës siriane të Latakia. Në bordin e aeroplanit ndodheshin 92 persona, mes tyre kori i ushtrisë ruse. Ekipi i kërkim-shpëtimit pikasi aeroplanin në rreth 50 metra thellësi në det, të shpërndarë në një sipërfaqe prej mbi një kilometër. Në mjetin fluturues udhëtonin 84 pasagjerë dhe 8 anëtarë të ekuipazhit. Ai u nis në fluturim mëngjesin e së dielës në orën 05.20 nga aeroporti i Sochi dhe u zhduk nga radarët pas 20 minutash, ku më tej u konfirmua rrëzimi. Mes pasagjerëve ishin anëtarë të bandës ushtarake “Alexandrov”, si dhe nëntë gazetarë. Që të gjithë ishin drejtuar për në Siri për të mbajtur një koncert me rastin e Vitit të Ri për trupat ruse që ndodhen atje. Nga kërkimet ka nisur edhe nxjerrja e trupave të parë.