Tetovë, 18 prill – Në sallën e vogël të Pallatit të Kulturës në Tetovë, sopranoja Nita Zenuni ngjiti në skenë disa nga romancat më të bukura shqiptare, shkruan gazeta KOHA. E shoqëruar në piano nga Shkëlzen Baftiari sopranoja interpretoi me mjeshtëri “Bylbyli” nga L.Dizdari, “Moj e bukura More”, “Dashnor tu bana”, “Pranvera filloi me ardhë”, “Nostalgji”, “Shoqe kemi hanën”, “O moj e bukur Arbëri” dhe “Agimet shqiptare”. Koncerti i Zenunit ishte ndërthurur me interpretimet e disa nxënësve dhe studentëve të muzikës, Elhan Memishi, Era Azemi, Aulona Vejseli dhe Betim Shabani, të cilët performuan po ashtu disa këngë të zgjedhura shqiptare.
Koncerti i sopranos Zenuni është pjesë e edicionit të gjashtë të manifestimit “Skena e muzikës serioze shqiptare” , nën organizimin e shoqatës “Allegretto”, që u cel muajin e kaluar, me koncertin e “West Coast Symphony Orchestra” me dirigjent Bujar Llapaj. Gjatë ditëve në vazhdim në programin e “Skenës së muziëks serioze shqiptare” janë edhe disa koncerte, si ai i ansamblit “Sonoris” (24 prill), “Trio Kosova” (28 prill), Inva Mula me Filharmoninë e Maqedonisë (29 prill), Orkestra Rinore e Shqiptarëve të Maqedonisë (3 maj), si edhe “Tre tenorët” (Josif Gjipali, Adrian Xhema dhe Kastriot Tusha). (koha.mk)