Pas më shumë se 5 vitesh nga hera e fundit, Roger Federer rikthehet në krye të renditjes botërore për meshkuj. Falë suksesit dje ndaj Robin Haase, në çerekfinalet e turneut të Roterdamit, tenisti zviceran ka sigurinë matematikore për të qenë nga dita e hënë “Numri 1” në botë. Hera e fundit që ishte në majë datonte 4 nëntor 2012, ndërsa më 19 shkurt, do të jetë zyrtarisht “Numri 1” pas plot 1,930 ditësh. Jo vetëm kaq, por ai bëhet tenisti i parë që rikthehet në krye të renditjes pas një periudhë kaq të gjatë, pas 5 vitesh e 106 ditësh. Federer do të jetë sërish në krye pas 14 sezonesh nga hera e parë, më 2 shkurt të vitit 2004.
“Në këto vite kam patur shumë luhatje, ulje e ngritje në lojë e rezultate dhe nuk arrij ta besoj që jam sërish në majë. Ka qenë një rrugëtim fantastik, gati magjik. të rikthehem sërish “Numri 1” në botë është diçka e rëndësishme për mua. Kam luftuar shumë, nuk kanë munguar edhe momentet e vështira, por kam punuar shumë për t’u rikthyer në këtë nivel. Falënderoj skuadrën time, që më dha mundësi të jem sërish këtu. Këtu, në Roterdam, praktikisht kam nisur karrierën time si profesionist në vitin 1999 dhe tani jam sërish këtu pas gati 20 vitesh, i pari. E paimagjinueshme kjo që ka ndodhur po të kthesh kokën pas”, tha Federer.