Nuk ka vatra të reja dhe raste të reja të gripit të shpezëve në Maqedoni, deklaroi sot drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV) Zoran Popovski. Siç tha Popovski pas prezantimit të tuining projektit të ri për mbrojtje më të madhe të ushqimit, kafshëve dhe bimëve, gjendja me zgjuarsi po ndiqet dhe të gjithë rastet e dyshimta të hulumtohen që të ndërmerren masa në kohë nëse konfirmohet se nevojitet.
“Mundësitë për paraqitje të gripit të shpezëve janë zvogëluar sepse me rritjen e temperaturave virusi nuk mund të qarkullojë aq shumë. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia për paraqitje të sëmundjes”, theksoi drejtori. Sipas tij, në shtetet e rrethinës tanimë ka raste të reja, në Bullgari ka numër të madh të vatrave, ndërsa vatrat paraqiten edhe në Serbi.
“Shpresojmë se në Maqedoni nuk ka raste të reja, e as në të ardhmen të kemi problem me këtë sëmundje”, shtoi Popovski. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, informoi se pronarët e shpendëve që ngordhën nga gripi i shpezëve në fshatin strugan Moroishtë, ende nuk janë dëmshpërblyer për shkak AUV nuk i ka marrë kërkesat e tyre. “Kur do t’i marrim kërkesat, menjëherë do t’i qasemi dëmshpërblimit”, potencoi drejtori i Agjencisë Zoran Popovski.