Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Likesh të Shijakut, ku nusja tentoi të vriste vjehrrën. Zyrtarisht policia njofton se 19-vjeçarja Elda Tanushi i hodhi helm insektesh (akravil) vjehrrës në një gotë me kos. Për pasojë, vjehrra 42-vjeçare me iniciale A.S u dërgua në spital për të marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ka qenë pikërisht 42-vjeçarja që denoncoi në komisariat nusen e djalit, 19-vjeçaren Elda Tanushi. Ngjarja ka ndodhur në banesën e kësaj familje. Ditën e djeshme policia arrestoi 19-vjeçaren dhe ndaj saj ka ngritur akuzën e vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë.
E reja ka rrëfyer në polici arsyet që e shtynë të ndërmerrte këtë veprim. Ajo ka thënë se ishte martuar vetëm 4 muaj më parë, por që nga ai moment sherret me vjehrrën kishin qenë të vazhdueshme, madje edhe është dhunuar. “Ngrinte dorë mbi mua e më rrihte, prandaj nuk durova dot,”- ka rrëfyer nusja. Në gjithë këto sherre, bashkëshorti i 19-vjeçares nuk ka qenë prezent, pasi fill pas dasmës ai ka emigruar në Greqi, aty ku punonte prej vitesh. Pas martese ai ua ka besuar nusen, prindërve, por me sa duket bashkëjetesa mes të treve ka degjeneruar në sherr.