Fondi i Popullsisë i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNFPA) ka bërë thirrje për mijëra gratë dhe vajzat e reja të cilat janë larguar nga vendet e tyre si pasojë e luftimeve në shtetin e Arakanit në Mianmar, raporton Anadolu Agency (AA). Në deklaratën nga UNFPA theksohet se rreth 7.600 gra dhe vajza të reja në shtet nuk kanë shërbime themelore shëndetësore dhe përballen me rreziqe dhune dhe përdhunimi. Në deklaratë po ashtu theksohet se gratë dhe vajzat e reja që jetojnë në prefekturat Maungdaë dhe Buthidaung në dy muajt e fundit janë të privuara nga shërbimet më themelore dhe kryesore shëndetësore. “Të gjitha gratë në Arakan, pa marrë parasysh cilës pakicë etnike apo fetare i përkasin dhe pa qenë subjekt i asnjëlloj diskriminimi, duhet përfitojnë nga kujdesi shëndetësor dhe shërbimet e tjera themelore dhe të mbrohen nga çdo dhunë dhe abuzim, përfshirë edhe sulmet gjinore”, thuhet në deklaratë. Fondi i Popullsisë ka theksuar dyshimin se afërsisht 40 mijë gra në rajon janë shtatzënë. “Gratë bëhen më shumë vulnerabile ndaj dhunës dhe abuzimeve nga shkatërrimi i mekanizmave mbrojtëse të komuniteteve që janë të rrethuara apo në ikje”, paralajmërojnë nga UNFPA. Pjesën më të madhe të popullsisë në Arakan e përbëjnë muslimanët Rohingya që nga OKB përkufizohen si “komuniteti më i shtypur në botë”.