“Duhet të mendojmë për të ardhura universale, për shkak se ka kaq shumë të papunë dhe duhet të sigurohemi se ata bëjnë jetë të mirë”. Kështu ka deklaruar deputetja e Parlamentit Evropian nga Luksemburgu, Mady Delvaux-Stehres. Ajo ka propozuar që Bashkimi Evropian të fillojë përpilimin e një sistemi që do të siguronte paga mujore për të gjithë banorët e shteteve të BE-së, kjo pasi robotët dhe teknologjitë e reja po i automatizojnë punët, duke shuar kështu miliona vende pune që deri më tani janë kryer nga forca punëtore njerëzore. Ky propozim, i cili do të dalë për shqyrtim para PE-së në shkurt, ka kaluar me 17 vota pro. “Ne duhet të identifikojmë vendet ku robotët do të zhdukin vendet e punës dhe të gjithë njerëzve tu japim të ardhura të rregullta mujore”, thotë eurodeputetja. Sistemi social në botën moderne po kërcënohet nga zhvillimi i hovshëm teknologjik, që e ka bërë më të lehtë prodhimin, por në proces ka zhdukur miliona vende pune.