Evis HALILI
Përveç disa projekteve që lidhen me rikonstruktimin e fasadave të shtëpive karakteristike dhe tre projekteve plotësuese për Kullën e Sahatit, Shtëpinë e Çakove dhe Kishës Shën Dimitri, Qendra Konservuese e Gostivarit edhe këtë vit nuk parashikon asgjë për fillimin e hulumtimeve arkeologjike në ndonjë prej lokaliteteve të kësaj zone. Drejtori Adnan Fejzullahu, pohon se mangësitë ligjore në aktin e themelimit kanë bërë që projektet e propozuara prej tyre për t’u marrë me hulumtime arkeologjike kanë dështuar. Por, kjo është hera e parë që Fejzullahu jep alarmin dhe e justifikon në këtë mënyrë mungesën e projekteve në këtë zonë, por edhe më gjerë, në Maqedoninë Perëndimore. Sipas tij, duhet të priten ndryshimet në Qeveri, për atë që ai e quan zgjidhje të çështjes me një marrëveshje politike.
“Pikësëpari Qendra është themeluar me mangësi, si për kuadrot ashtu edhe për shtrirjen gjeografike dhe kompetencat që duhet të ketë. Sa i takon hulumtimeve arkeologjike ne kemi pasur projekt për në Gradec, aty ku trashëgimia ilire po shkatërrohet nga personat e papërgjegjshëm që merren me gërmime të egra. Por, është e vështirë të gërmosh në pjesën perëndimore të vendit, ka një prapavijë politike që pengon dhe krijon ngecje dhe pa pasur një marrëveshje politike është e vështirë që të realizohen projekte të tilla”, thotë Fejzullahu.
Qendra e Konservimit është themeluar në vitin 2008, por funksionimi i saj nisi pas disa vitesh. Fillimisht me një staf të kufizuar, por edhe tani nuk arrin më shumë se 10 punonjës. Sipas drejtorit Fejzullahu vitin e ardhshëm pritet që pesë prej tyre ë janë specializuar gjatë kësaj periudhe të marrin statusin e konservatorëve të lartë. Qëllimi i themelimit të kësaj qendre para së gjithash ishte që të merrej me ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë, por mbi të gjitha të nxiste hulumtimet arkeologjike në zonat e Tetovës, Gostivarit, Kërçovës e të tjera. Gjë që në fakt nuk arriti të realizohej, duke e orientuar aktivitetin e këtij institucioni në projekte restauruese të shtëpive karakteristike, objekteve të kultit, kishave dhe xhamive të kësaj komune.
“Projektet për hulumtime arkeologjike, konkretisht për në Gradec, janë refuzuar pasi nuk janë në kompetenca të Qendrës. I kemi propozuar që të bëjnë kërkesë për ndryshime ligjore dhe zgjerimit të territorit ku mund të operojnë”, thotë Shehapi. Hulumtimet arkeologjike në Maqedoninë Perëndimore janë të rralla. As në Qendrën Nacionale të Konservimit ende nuk kanë pasur ndonjë projekt konkret. Drejtori Mehmet Selmani pohon se Uskana dhe Gradeci janë dy prej projekteve që ai si drejtor i ka dorëzuar në Qeveri në muajin qershor si pjesë e planit pesëvjeçar të këtij institucioni.
“Në fakt nuk kam asnjë lloj përgjigje dhe nuk e di nëse vitet e ardhshme do të kemi ose jo hulumtime arkeologjike në këto zona. Është e vërtetë se edhe më parë nuk ka pasur ndonjë interesim nga ana e ekspertëve”, thotë Selmani. Por, sipas tij ajo që është më problematike është mungesa e kuadrit, e ekspertëve të trashëgimisë që janë në një numër jashtëzakonisht të vogël.