Drejtori i ndërmarrjes komunale “Standardi”, Burim Kaba në raportin që dha para këshilltarëve të komunës Dibër, tha se para disa viteve vetëm një banor i këtij fshati që gjendet në afërsi të banjave të Dibrës Capa dhe lumit Radikë, paguante faturat për shfrytëzimin e ujit
Vjollca SADIKU
Dibër, 2 maj – Banorët e komunës Dibër në vitin 1986 me ndërtimin e ujësjellësit Rosok-Dibër definitivisht zgjodhën problemin me furnizim me ujë. Por, edhe pse përveç dibranëve këtë ujë e shfrytëzonin edhe disa fshatra të tjerë, uji i një kualiteti shumë të lartë nuk paguheshe nga banorët e fshatit Kosovrast i Poshtëm. Edhe në monizëm por edhe në pluralizëm për shkaqe të ndryshme politike fshati nuk paguante ujin që përdorte ashtu siç e paguanin banorët e Dibrës por edhe të fshatrave të Zhupës. Reagimet ishin të shumta nga banorët të komunës Dibër të cilët paguanin faturat të ndërmarrjes komunale “Standardi”, e cila menaxhon me ujësjellësin Rosok-Dibër. Jo vetëm në monizëm por deri vonë edhe në pluralizëm banorët e fshatit Kosovrast i Poshtëm toleroheshin që të mos paguajnë shërbimet të ndërmarrjes komunale. Por, me aktivitetet e fundit të drejtorisë të ndërmarrjes komunale, ky fshat filloi të paguaj faturat e ujit dhe grumbullimin e mbeturinave publike.
Drejtori i ndërmarrjes komunale “Standardi”, Burim Kaba në raportin që dha para këshilltarëve të komunës Dibër, tha se para disa viteve vetëm një banor i këtij fshati që gjendet në afërsi të banjave të Dibrës Capa dhe lumit Radikë, paguante faturat për shfrytëzimin e ujit. “Mbi 70 për qind e banorëve të këtij fshati gjatë vitit 2023 kanë filluar të paguajnë faturat për shfrytëzimin e ujit dhe grumbullimin e mbeturinave”, tha drejtori Kaba.
Kjo sipas tij flet se vetëdijesohen banorët e këtij fshati se obligimet duhet të kryhen , meqë janë duke shfrytëzuar shërbime. Poashtu Kaba shton se në këtë fshat me sukses gjatë vitit që kaloi grumbullohen edhe mbeturinat dhe ky fshat turistik tanimë nuk ka deponi të egra. Por, në debatin që ishte prezent në seancën e këshillit të Dibrës disa nga këshilltarët potencuan se ndërmarrja komunale “Standardi”, duhet patjetër të merret me furnizimin me ujë edhe të fshatrave të tjerë të komunës. Një situatë e këtillë që për pasoj ka edhe mosgrumbullimin të tërësishëm të mbeturinave në fshatra shkakton edhe ndotje të mëdha të ujërave të Liqenit të Dibrës. Deponitë e shumta të egra të fshatrave Xhepishtë, Otishan dhe fshatrave të komunës rurale Qendër Zhupë përfundojnë në ujërat e Liqenit të Dibrës dhe liqeni ndotet. Përfaqësuesit e ndërmarrjes komunale thonë se shumë shpejtë do të fillojë edhe grumbullimi i mbeturinave në këto fshatra. Por drejtori i ndërmarrjes Kaba potencoi se nuk ka mundësi të furnizohen fshatrat me ujë meqë disa fshatra akoma nuk kanë përfunduar projekte që kanë të bëjnë me furnizimin me ujë.
Sipas Kabës, pritet gjatë këtij viti të tejkalohen shumë probleme edhe në fshatra që kanë të bëjnë me ndotjen e mjedisit jetësor. “Në fshatrat Xhepishtë dhe Otishan pas bisedave që kemi pas me përfaqësues të bashkësisë vendore kemi vendosur kontejner. Kjo do të thotë se jemi në rrugë të drejtë që të fillojmë edhe grumbullimin e mbeturinave me qëllim që ata të mos hidhen në liqe”, thotë drejtori i ndërmarrjes komunale “Standardi”, Burim Kaba. Përmirësimi i situatës financiare duke rrit grumbullimin e mjeteve, por edhe duke përfituar projekte të reja në ndërmarrjen komunale presin që dukshëm të ndryshojë mënyra e funksionimit për një Dibër më të pastër por edhe fshatra më të pastër. Zhvillimi i turizmit realizohet vetëm duke mbrojtur mjedisin jetësor u tha në seancën e Këshillit të komunës Dibër. Pushteti vendor në Dibër në kontinuitet i jep përkrahje të fuqishme ndërmarrjes komunale për të tejkaluar problemet e shumtë që ka ndërmarrja vite me radhë. (koha.mk)