Më shumë se 3000 vjet më parë, një sërë piramidash guri u ndërtuan në zemër të Meksikës. Tani, falë gërmimeve të fundit arkeologjike, studiuesit kanë zbuluar se njerëzit indigjenë i përdornin ato për qëllime astronomike. Piramidat ndodhen në një vend të madh arkeologjik në Puebla, një shtet në Meksikën qendrore. Gjatë dekadës së fundit, arkeologët kanë gërmuar tre prej tyre, të cilat përbëjnë “Sheshin e Madh”, sipas një deklarate nga Instituti Kombëtar i Antropologjisë dhe Historisë (INAH), shkruan DailyMail.
Gërmimet konfirmojnë hipotezën se vendi është përdorur nga vendasit e Sierra Nortes për vëzhgime astronomike. Vëzhgimet, të cilat u zhvilluan diku midis viteve 600 dhe 200 p.e.s, përfshinin vëzhgimin e yjeve për të gjurmuar ciklin bujqësor. Sot, piramidat janë dëmtuar shumë nga moti dhe faktorët e tjerë nga ndërtimi i shtëpive aty pranë. Sidoqoftë, u gjetën objekte të shumta dhe u bënë zbulime që konfirmuan ekzistencën e vëzhgimeve të lashta astronomike. Piramida kryesore ishte e vendosur mirë për të parë yllin Canopus, një nga më të ndriturit në qiellin e natës – gjatë muajit shkurt.
Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se banorët e lashtë të Meksikës qendrore mbanin kalendarë të saktë bujqësor duke përdorur vëzhgime “të sakta” astronomike. Pasi përdorën piramidat për astronomi, banorët e Sierra Nortes u larguan në mënyrë misterioze nga vendi dhe migruan në Teotihuacan dhe pjesë të tjera të Meksikës. Hulumtime të mëtejshme do të kryhen aty. Vendi do të mbetet i mbyllur për publikun.