Në ditën e fundit të këtij viti moti do të jetë i kthjellët dhe i ftohtë me temperatura të mëngjesit nën zero të cilat do të lëvizin prej -10 deri në -2, ndërsa në mëngjesin e parë në Vitin e Ri do të jetë më ftohtë me temperatura minimale prej -13 deri në -4 gradë Celsius. Për nesër pritet mot i kthjellët dhe i ftohtë me erë veriore të dobët deri në mesatare. Në orët e paradites nuk përjashtohet që në disa vende të ketë reshje të dobëta të borës, ndërsa era gradualisht do ta zvogëlojë shpejtësinë. Përgjatë Vardarit ende do të fryjë erë mesatare përkohësisht e përforcuar në orët e paradites, ndërsa pasdite dhe në mbrëmje shpejtësia do të zvogëlohet. Më ftohtë do të jetë ditën e parë të Vitit të Ri kur temperatura e mëngjesit do të ulet deri në – 13 ndërsa e ditës do të lëvizë prej dy deri në tetë gradë Celsius. Temperatura të ngjashme priten edhe të hënën kur ajo e mëngjesit do të lëvizë nga minus 13 deri në minus pesë, ndërsa ajo ditore nga tre deri në nëntë gradë. Të hënën dhe të martën do të mbizotërojë mot me diell dhe me vranësira të vogla deri në mesatare, ndërsa vranësira të përkohshme me kushte për reshje të dobëta lokale të shiut dhe borës do të ketë të mërkurën. Temperatura e mëngjesit dhe ditës do të jetë në ngritje të vogël.