Shkup, 29 prill – Me rastin e 28 prillit, Ditës botërore për siguri dhe shëndet në punë, dje me iniciativë të Shoqatës së Maqedonisë për mbrojtje gjatë punës (SHMMP) janë mbjellë 33 fidanë në parkun e Komunës së Lisiçes në nder të 33 punëtorëve të cilët vitin e kaluar humbën jetën në vendet e tyre të punës. Sipas raportit vjetor për fatkeqësi gjatë punës që Milan Petkovski, kryetar i SHMMP-së e ka prezantuar dje, Shkupi është qytet me më shumë fatkeqësi, pasojnë Gostivari dhe Shtipi. Ai ka thënë se sivjet në Shkup, Shtip dhe Strumicë kanë ndodhur më shumë raste të vdekjes lidhur me vendet e punës.
“Vitin e kaluar kanë ndodhur 124 fatkeqësi gjatë punës. Prej tyre 33 kanë qenë fatale. Ashtuqë, shkalla e rasteve të vdekjes gjatë punës në Maqedoni arrin 4.34 për qind në çdo 100 mijë të punësuar, pra vdesin katër deri në pesë persona. Shkalla e rasteve të vdekjes gjatë punës është rritur në krahasim me vitin 2017, kur ka qenë 3.22 për qind. Kur si parametër do të merren lëndimet në punë, atëherë shkalla në vitin e kaluar ka qenë 16.33 për qind që tregon se në çdo 100 mijë të punësuar, lëndohen 16 deri në 17 të punësuar. Në krahasim me vitin 2017, kur shkalla e lëndimeve gjatë punës ka qenë 18, shkalla e lëndimeve vitin e kaluar pak është zvogëluar”, ka thënë Petkovski.
Ai ka shtuar se në gjithsej 30 qytete në vend kanë ndodhur fatkeqësi gjatë punës, ndërsa më shumë në ndërtimtari, aktivitete lidhur me amvisëritë si punëdhënës dhe amvisëritë që prodhojnë shumëllojshmëri të mallrave dhe kryejnë shërbime të ndryshme për nevoja të veta. Sipas tij, më shumë fatkeqësi të cilët kanë rezultuar me vdekje ka në veprimtaritë e amvisërive si punëdhënës. “Më shumë fatkeqësi kanë ndodhur në muajin qershor, në tetor kanë ndodhur më shumë raste të vdekjes, ndërsa më shumë fatkeqësi kanë ndodhur tek personat e moshës mes 25-34 vjeç. Megjithatë numër më i madh i fatkeqësive me epilog fatal ka në kategorinë e moshës prej 45-54 vjeç. Patjetër të theksohet se për një numër të madh fatkeqësish nuk ka të dhëna për moshën”, ka thënë Petkovski. (F.P)