Pjesa më e madhe e viktimave nga dhuna janë femra por ka raste kur të dhunuarit janë meshkuj dhe atë kryesisht persona të moshës së tretë
Vjollca SADIKU
Dibër, 23 maj – Në kontinuitet në Dibër dhe rajon është prezent dhuna në familje. Por, edhe gjatë vitit të kaluar si edhe gjatë muajve të parë të këtij viti për shkak të jetës tradicionale shumë raste të dhunës nuk paraqiten në institucion. Institucionet kompetente siç janë Qendra ndërkomunale për punë sociale dhe organi për punë të brendshme në Dibër, poashtu një problem akut në parandalimin të dhunës thonë se është edhe mungesa e hapësirave ku do të strehoeshin përkohësisht të dhunuarit. Nëse sigurohet një hapësirë adekuate atëherë të dhunuarit për momentin nuk do të ballafaqoheshin me tortura dhe dhuna plotësuese nga dhunuesit, kryesisht familjar të tyre. Përfaqësuesit të policisë në Dibër këto ditë edhe zyrtarisht kërkuan nga kompetentët të sigurohet një hapësirë për mbrojtjen e të dhunuarve.
Inspektorja kompetente pranë organit të punëve të brendshme në Dibër, Bleta Dumani në debatin që kishte të bëjë me prezencën dhe mbrojtjen e të dhunuarve në Konferencën lokale, theksoi se edhe pse prezent është dhuna në familje, aktualisht mungon sipërfaqja ku të dhunuarit do të kalonin një periudhë që të mos bien pre përsëri nga dhunuesit. Ajo potencoi se qëndron fakti se një pjesë e mirë e të dhunuarve nuk e paraqesin problemin, por shtoi se në këtë drejtim patjetër institucionet kompetente duhet të veprojnë në përputhje me normat ligjore. Jeta tradicionale në Dibër ka ndikuar në mosparaqitjen e rasteve ku ka dhunë në familje. Por, siç thotë ajo, problemet marrin dimensione më të rënda nëse ata nuk paraqiten. “Duke marrë parasysh faktin se në Dibër në Qendrën për Punë Sociale nuk ka mundësi që të përcaktohen hapësira, respektivisht apartamente për akomodimin të viktimave të dhunës, patjetër komuna dhe institucionet të tjera duhet të ndërmarrin aktivitete të menjëhershme që në ndërtesën kolektive që është drejt përfundimit e që është ndërtuar për familjet të pastrehë me probleme sociale, të ndahen një apo dy apartamente ku do të akomodoheshin të dhunuarit. Kjo patjetër duhet të realizohet meqë aktualisht Dibrës i mungon një hapësirë e këtillë”, tha inspektorja e policisë Dumani. Ajo dha sqarime rreth problemeve të dhunës në familje dhe potencoi se pjesa më e madhe e viktimave nga dhuna janë femra por ka raste kur të dhunuarit janë meshkuj dhe atë kryesisht persona të moshës së tretë.
Rreth kërkesë që u bë nga inspektorja e policisë, në debat në lidhje me problemin, kryetari i Dibrës Hekuran Duka tha se komuna nuk ndan banesa për familjet të pastreh me probleme sociale, meqë ata i ndan Ministria kompetente e Qeverisë. Por ai potencoi se menjëherë do të kërkojë nga përfaqësuesit qeveritar ta vendosin në rend dite në Ministrinë për Transport dhe Lidhje nevojën që në Dibër një apo dy apartamente të ndahen për personat e dhunuar. Ata do të kenë një përkujdesje që do ta ndal dhunën ndaj tyre, tha Duka. Po të njëjtin qëndrim pati edhe përfaqësuesi i Qendër Sociale në Dibër Kreshnik Paçuku. Drejtori tha se Qendra për Punë Sociale nuk posedon një hapësirë për këtë çështje prandaj jep përkrahje për këtë kërkesë. Punëtorët social që merren me këtë problematikë të dhunës, theksuan se patjetër duhet të ketë një hapësirë ku pas dhunimit viktima do të strehoet aty me qëllim që dhunuesit të mos kenë mundësi të vazhdojnë me dhunën ndaj viktimës. Shoqatat qytetare kanë përshëndetur kërkesën dhe objektivisht është që të pritet nga 47 banesa, që janë në ndërtesën kolektive për familjet me probleme sociale, dy prej tyre t’ju dedikohen viktimave nga dhuna. (koha.mk)