Tiranë, 21 qershor – Për sigurinë e protestës së sotme të opozitës së bashkuar shqiptare, do të angazhohen së paku 1.700 nëpunës policorë, të cilët do të sistemohen kryesisht para Qeverisë dhe Parlamentit, transmeton KOHA.
Gjithashtu do të angazhohen edhe pjesëtarët e njësisë speciale “Shqiponja”, të cilët do të sistemohen para kordonit të policisë para dy institucioneve, më pas pjesëtarët e policisë rrugore si dhe persona të pauniformuar nga sektorë të tjerë të MPB-së. Pjesëtarët e njësisë për intervenim të shpejtë dhe Garda nacionale do të jenë në gjendje gatishmërie.
Në rast se do të ketë tentime për të hyrë në institucione dhe kërcënime për jetë të nëpunësve policorë, do të përdoret gazi lotsjellës dhe topat me ujë. Në afërsi do të ketë edhe disa zjarrfikës dhe automjete të ndihmës së shpejtë.
Në Tiranë do të ketë lëvizje të kufizuar në rajonin më të gjerë ku do të ketë protestë, ndërsa është e ndaluar hyrja në autobusët të cilët bartin qytetarë nga brendësia në qendër të Tiranës. Autobusët të cilët vijnë nga pjesa veriore e vendit do të parkohen afër pallatit të sporteve “Asllan Rusi” përderisa ata nga pjesa jugore tek Fakulteti ekonomik.
Protesta do të fillojë në orën 20:00. Me kërkesë që ajo të zgjatë deri në mesnatë, policia lejoi që protesta të zgjatë dy orë, përkatësisht deri në orën 22:00.
Thirrje pjesëmarrësve që të përmbahen nga çfarëdo lloji i dhunës, bënë ambasadat e SHBA-së, Britanisë së Madhe, vendeve të tjera të BE-së, si dhe misioni i OSBE-së. Ato janë edhe të qëndrimit se përgjegjësinë për çfarëdo lloj veprimesh të padëshirueshme e bartin organizuesit.
Lideri i Partisë demokratike, e cila e kryeson opozitën e bashkuar shqiptare, Lulzim Basha, dha garanca se protesta e sotme “kombëtare”, e nënta me radhë, do të jetë e qetë.
“Në protestën e sotme nuk do të ketë asnjë episodë të dhunës. I ndërmorëm të gjitha masat e nevojshme që të mos lejohet inflitrimi i provokuesve”, deklaroi Basha.
Duke iu bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që në protestë të vijnë me familjet e tyre, shtoi se ai në protestë do të sjellë bashkëshorten dhe dy vajzat.