Zejnulla VESELI
Shkup, 8 maj – Besimi i lëkundur ndaj bankave në tremujorin e dytë të vitit të kaluar, pavarësisht tërheqjes së depozitave, u shpreh edhe përmes jobesimit për stabilitetin e valutës vendase dhe rritjes së kërkesës për valuta t huaja, thotë Banka Popullore e Maqedonisë në raportin e fundit lidhur me rreziqet, shkruan gazeta KOHA. “Kjo shkaktoi ndërprerje të vazhdueshme të depozitave të bankave, e cila ka qenë e pranishme në vitet e fundit. Norma e rritjes vjetore e depozitave në denarë pothuajse është përgjysmuar në krahasim me vitin e kaluar, dhe është më e ulët në krahasim me normën e rritjes së depozitave në valutë, e cila u përshpejtua në vitin 2016. Kjo shkaktoi që të ulet pjesëmarrja e denarit në depozitat e përgjithshme, prej 57,6 për qind në vitin 2015 në 56,9 për qind deri në fund të vitit 2016. Në vitin 2016, rritja e depozitave të denarit (e cila ishte 4,1 për qind) kryesisht u ndikua nga rritja e depozitave të korporatave”, thonë nga BPM. Prej aty theksojnë se depozitat e amvisërive në denarë janë rritur për vetëm 0,7 për qind, që paraqet ngadalësim të dukshëm në krahasim me vitin e kaluar, kur rritja ishte 14 për qind. “Rritja vjetore e depozitave në valutë (7,6 për qind) u përshpejtua, me çka depozitat në valutë të amvisërive kanë kontribut pak më të madh (49,6 për qind) në aspektin e kontributit të sektorit të korporatave (41,6 për qind). Banka Popullore reagoi në rritjen e kërkesës në valutë me ndërhyrjen në tregut valutor dhe përmes rritjes së normës bazë të interesit prej 3,25 në 4 për qind, në maj të vitit 2016 i ka riaktivizuar ankandet e depozitave në valutë te Banka Popullore (si instrument tërheqës për udhëzimin e likuiditetit në valutë të bankave). Ngadalësimi i procesit të ruajtjes së depozitave të denarit ishte ndjekur edhe me shkurtimin e maturisë së saj, që mund të jetë si pasqyrë e krizës politike në vend dhe mosbesimit të qytetarëve”, përcjell KOHA informatën e BPM-së. Nga banka shtojnë se depozitat afatshkurtra kanë vazhduar të bien edhe në vitin 2016, ndërsa rritje të dukshme kanë realizuar depozitat pa afat dhe norma vjetore e rritjes (13,7 për qind) së tyre është trefishë më e lartë në krahasim me normën e rritjes së depozitave afatgjate. “Pak e pazakontë, por në rritjen e depozitave pa afat amvisëritë kanë kontribut më të madh (55,6 për qind) në krahasim më kontributin e sektorit korporativ (39,2 për qind). Rritja vjetore e depozitave afatgjata (4,5 për qind) në pjesën më të madhe (apo 65 për qind) është kushtëzuar nga depozitat në valutë të amvisërive. Transformimi valutor dhe i maturimit të depozitave, edhe pse kontribuojnë për shpenzime më të ulëta të normës së interesit në bilancet e bankave, megjithatë e komplikojnë menaxhimin me rrezikun e likuiditetit dhe imponojnë nevojë për kujdes më të madh ndaj tyre, gjegjësisht ruajtjen e sasive më të mëdha të mjeteve likuide të cilët janë më pak të nënshtruara.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara