Zejnula VESELI
Shkup, 13 shkurt – Edhe përkundër rënies se shkëmbimit tregtar katër vitet e fundit me Kosovën, Maqedonia deri në fund të vitit 2016 ka shënuar suficit sa i përket eksportit të mallrave kundrejt importit të mallrave nga Kosova, shkruan gazeta KOHA. Në tregun kosovar, kompanitë nga Maqedonia brenda vitit të kaluar kanë eksportuar mallra në vlerë prej mbi 188 milionë euro, dhe krahasuar me vitin 2015, importi është rritur për 20 milionë euro, gjegjësisht në vitin 2015 Maqedonia drejt tregut kosovar kishte eksportuar rreth 168 milionë euro. Nga na tjetër, kompanitë kosovare në vitin 2016 në Maqedoni kanë eksportuar mallra me vlerë tepër të ulët, vetëm 30 milionë euro, ndërsa krahasuar me vitin 2015 sa i përket eksportit të mallrave kosovare në tregun e Maqedonisë, ato kanë shënuar rritje prej 8 milionë eurove. Eksporti i mallrave nga Kosova i hyrë në tregun e Maqedonisë në vitin 2015 kapte shifrën prej 22 milionë eurove. Nëse do të krahasonim se si ishte shkëmbimin tregtar midis Maqedonisë dhe Kosovës pesë vite më parë, mund të konstatohet se Maqedonia ndër vite po e humb tregun e Kosovës. Kështu, në vitin 2011 Maqedonia ishte partner numër një sa i përket shkëmbimit tregtar me Kosovën, sepse në këtë vit këmbimi tregtar me Kosovën kishte arritur shifrën prej 421 milionë eurove, edhe atë mallrat e eksportuara nga Maqedonia drejt Kosovës shënonin vlerën prej 396 milionë eurove, ndërsa mallrat e eksportuara nga Kosova në tregun e Maqedonisë kapnin shifrën prej 25 milionë eurove. Po të krahasojmë këto shifra të vitit 2011 me shifrat e fundit të vitit 2016, i bie që Maqedonia brenda pesë viteve drejt tregun kosovar të eksporton 50 për qind më pak mallra.
Papjekuria e politikave ekonomike
Analisti ekonomik, Arben Halili, thotë për KOHA se Maqedonia kishte një treg shumë të mirë për ta shfrytëzuar në shtigje afatgjata, veçanërisht pas konfliktit në Kosovë, mirëpo papjekuria e politikave ekonomike të Maqedonisë, veçanërisht me aplikimin e “masave mbrojtëse”. Për ilustrim ai përmend rastin e para disa viteve, kur në emër të mbrojtjes së një produkti nga një degë, pra të grurit, rrezikoi aplikimin e masave për reciprocitet për të gjitha prodhimet nga Maqedonia që futeshin në Kosovë, gjë që ndikoi dukshëm të humb këtë treg tradicional. “Menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë kompanitë nga Maqedonia filluan dukshëm të etablohen në tregun kosovar dhe kjo shumë lehtë mund të vërehet edhe nga statistikat zyrtare lidhur me këmbimin tregtar.”, thotë Halili. Ai thekson se një ndihmesë e madhe për kompanitë nga Maqedonia ishte edhe, kushtimisht thënë, konflikti tregtar mes Kosovës dhe Serbisë që ndodhi në vitin 2014, kur Kosova kërkonte reciprocitet të këmbimit tregtar, dhe meqë Serbia e refuzonte këtë gjë, Kosova aplikoi masat e ndalesës së futjes së prodhimeve serbe në Kosovë. “Atë zbrazëtirë tregtare e shfrytëzuan edhe njëherë kompanitë nga Maqedonia, duke rritur pozicionin në tregun Kosovar. Megjithatë, papjekuria e politikave ekonomike të Maqedonisë, veçanërisht me aplikimin e ‘masave mbrojtëse’, kur në emër të mbrojtjes së një produkti, nga një degë, pra të grurit, rrezikoi aplikimin e masave për reciprocitet për të gjitha prodhimet nga Maqedonia që futeshin në Kosovë, gjë e cila ndodhi. Kosova zbatoi masa mbrojtëse për të gjitha prodhimet që futeshin nga Maqedonia dhe kështu dalëngadalë kompanitë nga Maqedonia filluan ta humbin tregun e Kosovës”, thotë Halili. Sipas analistit ekonomik, ky ishte momenti kryesor kur kompanitë tregtare, por edhe ato prodhuese nga Maqedonia, e humbën në mënyrë të konsiderueshme tregun kosovar dhe lejuan edhe njëherë boshllëkun e atij tregu ta mbush sërish me prodhime Serbia. “Një arsye tjetër që Maqedonia e humb tregun e Kosovës është për faktin se shteti sikur nuk është i interesuar që të orientojë dhe motivojë kompanitë vendore edhe në këtë treg. Ne duhet ta pranojmë hapur që frustracionet nacionaliste tek disa politikanë të palës tjetër, ndodhë që të marrin në qafë edhe sektorin e ekonomisë, dhe kjo gjë fatkeqësisht po ndodhë këto pesë vitet e fundit”, thotë Halili.
“Jazhinca” dhe rruga Shkup-Bllacë përmirësojnë eksportin
Analisti ekonomik, Arben Halili, thotë se pengesë në shkëmbimin tregtar mes Maqedonisë dhe Kosovës është edhe mungesa e një terminali doganor në vendkalimin kufitarë të Jazhincës. “Jam i bindur që rregullimi i kësaj çështjeje, e cila shumë herë është aktualizuar nga komuniteti i biznesit të pjesës veriperëndimore të Maqedonisë, do të lehtësonte dukshëm dhe do e bënte prezencën e prodhimeve nga Maqedonia në tregun kosovar shumë më të lehtë”, thotë ai. Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP) vlerësojnë se mosinteresimi i Qeverisë së Maqedonisë për të ndërtuar rrugën Shkup-Bllacë rrezikon që përgjithmonë kompanitë nga Maqedonia ta humbin tregun e Kosovës. “Mosndërtimi i rrugës Shkup-Bllacë, përmes të cilës 85 për qind e kompanive nga Maqedoni eksportojnë mallra në tregun e Kosovës, viteve të fundit po ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë që kompanitë ta humbin edhe këtë treg. Kjo është dhe arsyeja kryesore se vitin 2016 këmbimi tregtar më Kosovën është ulur në mbi 50 për qind”, thonë nga OEMVP-ja.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.