Shkup, 28 gusht – Për skandalin e Institutit të Trashëgimisë Kulturore e Shpirtërore të Shqiptarëve me pllakën përkujtimore të Shën Terezës në sheshin e Shkupit, për KOHA është prononcuar edhe Arsim Sinani, nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike.
Ai vlerëson se emra të përveçëm si ky me rastin e Nënës Terezë nuk guxon te trajtohen me kaq joseriozitet, duke aluduar në pamjen estetike të pllakës etj. “Nëna Terezë meriton trajtim mbi partiak dhe duhet të bëhen veprime me grupe pune që e lartësojnë veprën e saj, e jo me improvizime kaq te dukshme dhe pa përmbajtje. Ai projekt lipset nga fillimi të projektohet, përgatitet, të kalojë procese të vlerësimi e shqyrtimi publik, të punojnë ekspertët më të mirë që nuk kanë ngarkesa partiake e politike. Mendoj se ky duhet të jetë një mësim se si duhet trajtuar figurat që bota i ka vlerësuar e në vendin e vetë tentohet të tjetërsohet e hidhet në harresë realiteti. Deri sot asnjë projekt nuk ka arritur të fitojë fizionomi ashtu siç e meritojnë shqiptarët e kjo si ndërhyrje e ëndrrave të politikës te arti, kultura, trashëgimia”, deklaroi për KOHA, Siani.
Duke folur për mungesën e përgjegjësisë të drejtorit të Institutit të Trashëgimisë, Skender Asani, ai thekson se institucionet kulturore shtetërore publike shqiptare lipset ta kuptojnë se puna nuk shikohet nga sasia por nga cilësia.
“E kur politika i përzien duart në institucione që simbolizojnë tërësinë e vlerave të një kombi pasojat janë fatale. Pasi partia nuk është tërësia e atij kombi po një copëz e vogël e atij populli dhe kjo ndikon pastaj te kultura e arti. Po vetë akti i heshtjes flet pasi nga kjo kuptohet shumë. Para kësaj të vërtete heshtja na tregon shumë. Por lipset që me kujdes çështjet të trajtohen shqiptarët meritojnë mendje të hapura e të pavarura që nuk i nënshtrohen politikave që vijnë e shkojnë. Ka shumë për tu dëshiruar në shoqërinë shqiptare”, thekson Sinani. (koha.mk)