Tetovë, 23 dhjetor – Kur kanë ngelur vetëm disa orë para se të fillojë rivotimi në një vendvotim Tearcë, në fshatrat e Komunës së Tearcës disa ditë me radhë vërehet prani e shtuar e policisë, madje në mes fshatit Sllatinë dhe Leshkë, tashmë disa ditë me radhë është e pranishme një patrullë policore nga Stacioni për siguri në komunikacionin rrugor. Po ashtu një patrullë policore gjithnjë kontrollon automjetet në hyrje të fshatit Përshefcë. Banorët e kësaj ane që dëshirojnë të ngelin anonim, thonë se krahas policisë së rregullt vërehen edhe inspektorë të policisë dhe pjesëtarë të njësive speciale. Lidhur me këtë prani të shtuar të policisë, gazeta KOHA kërkoi sqarim nga ana e Sektorit për Punë të Brendshme, prej nga thanë se kjo prani është për shkak të rivotimit të dielën në Tearcë. “Prezenca e përforcuar policore këto ditë në rajonin e Tearcës, është në kuadër të aktiviteteve të planifikuara për zbatimin e qetë dhe të sigurt të rivotimit, që do të realizohet në një nga vendvotimet e këtij vendbanimi në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Sektori për punë të brendshme në Tetovë, rregullisht, para çdo cikli zgjedhor, e rrit prezencën në ato vende ku do të votohet, si dhe përcakton se sa njerëz dhe pajisje do të angazhoj për këtë qëllim, bazuar në vlerësimet e mëparshme të bëra në përgjithësi. Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e momentit, në shumë aspekte janë ndërmarrë si dhe do të ndërmerren masa adekuate me qëllim që rivotimi të realizohet, gjegjësisht të kaloj në një atmosferë të qetë dhe demokratike, pa prishje të rendit dh qetësisë publike, pa incidente dhe ngjarje të tjera të padëshirueshme”, tha Marijan Josifovski, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë. (U.H)