Banorët shprehen se premtimet e dhëna kanë ngelur vetëm në letër, derisa kryetari i Bashkësisë Lokale të këtij fshati, Sulejman Ramadani, shprehet se ekziston rrezik për vërshime, sepse pas herës së dytë që kishte vërshime, shtrati i lumit nuk është pastruar
Urim HASIPI
Tetovë, 10 prill – Reshjet e ardhshme të shiut kurdo që të jenë, do të shkaktojnë problem sërish në Lumin e fshatit Poroj, shkruan gazeta KOHA. Niveli i lumit me prurjet e reja të dheut dhe rërës pothuajse ka barazuar lumin me urën. Nëse në afat sa më të shkurtër nuk merren masa, atëherë rreziku është i madh që sërish të përsëriten vërshimet në këtë fshat, thotë kryetari i Bashkësisë Lokale të fshatit Poroj, Sulejman Ramadani.
“Sërish i njëjti problem, siç vërehet, me prurjet nga reshjet e shiut dhe nga shkrirja e borës, ura është gati të bllokohet e gjitha. Tash presim kush do të merr masa për pastrimin e shtratit të Lumit, sepse shtrati nuk është vetëm tek ura, edhe pjesa e poshtme është mbushur tërësisht me prurje dhe duhet njëherë pastrimi komplet i shtratit lumit”, deklaroi për KOHA, Ramadani. Banorët përmes Bashkësisë Lokale kërkojnë që kryeministri Zoran Zaev të mbajë premtimet e dhëna gjatë vitit të kaluar kur kishte patur vërshime të mëdha në këtë fshat.
“Ne mendojmë që për këtë rast të shkojmë të alarmojmë institucionet dhe të shohim se çka do të na thonë për pastrimin që të mos vijë deri tek bllokimi i rrugës. Nuk kemi asnjë informatë nga qeveria, konkretisht nga kryeministri Zoran Zaev, se ai na premtoi se këtë vit do të fillohet me punë, tash jemi në muajin e katërt dhe nuk është marrë asnjë masë. Këtu nuk është vetëm sanimi për një moment. Duhet të punohet seriozisht dhe të mos na përsëriten situatat sikurse viteve të kaluara”, tha Ramadani.
Në të kundërtën, banorët nuk përjashtojnë masa më radikale siç janë protestat dhe bllokimi i rrugës Tetovë-Jazhincë në këtë fshat. Banorët shprehen se premtimet e dhëna kanë ngelur vetëm në letër, derisa kryetari i Bashkësisë Lokale të këtij fshati, Sulejman Ramadani, shprehet se ekziston rrezik për vërshime, sepse pas herës së dytë që kishte vërshime, shtrati i lumit nuk është pastruar.
“Mbrëmë kemi patur mbledhje dhe diskutuam dhe të marrim informata se deri ku janë punët për këtë problem. Kemi presione nga banorët që të dalim dhe të protestojmë me bllokim të rrugës Tetovë-Jazhincë, sepse nëse vazhdohet me këtë neglizhencë, atëherë do të kemi problem serioze shumë shpejt, sidomos tash kur do të fillojë edhe shkrirja më e madhe e borës në bjeshkë”, sqaroi Ramadani. Ai thotë se në atë kohë kanë marrë shumë premtime.
“Atëherë na premtuan se do të rregullojnë në tërësi shtratin e lumit në fshat, ndërsa në pjesën lartë – sipër fshatit, në shtratin e lumit premtuan se do të ndërtojnë diga për parandalimin e ndonjë katastrofe edhe më të madhe që mund të ndodh. Ne si Bashkësi Lokale ndaluam banorët e fshatit që të mos protestojnë me arsyen se kemi marrë premtime se këtë vit do të fillohet me punë”, nënvizon ai. Zanafilla e vërshimeve në Lumin e Porojit është në bjeshkët mbi fshatin Gjermë të Tetovës. Banorët e fshatit Gjermë shprehën se problemi i vërshimeve në fshatin e tyre dhe më pas edhe në Poroj, është në lumin që kalon në këtë fshat.
Burimi i tërë këtij rreziku është në lumin e quajtur “Uji i Shpejtë”, prej nga uji bart me vete gjithçka që i del përpara dhe i sjell poshtë në fshatin Poroj. Në kohën e ish-Jugosllavisë janë ndërtuar diga dhe kaskada. Mirëpo, të njëjtat pas vërshimeve të vitit 2015 dhe vërshimeve të mëhershme janë dëmtuar tërësisht dhe pikërisht kaskadat e fundit që parandaluan më të keqen – para një jave janë dëmtuar. Tash edhe banorët e fshatit Xhermë, por edhe të fshatit Poroj janë lënë në mëshirë të fatit. (koha.mk)