Fisnik PASHOLLI
Shkup, 1 mars – Pesëdhjetë kompanitë më të suksesshme në Maqedoni në vitin 2016 kanë punuar me fitim prej 498 milionë euro. Kompanitë ndërtimore, kazinotë , xeheroret dhe kompanitë në zonat industriale kanë realizuar më shumë sukses nga bizneset e tjera, shkruan gazeta KOHA. Vite me radhë lider në listën e kompanive me sukses më të madh afarist në vend është kompania Xhonson Meti, që në vitin 2016 ka neto profit prej 121 milionë euro.
Paradoksi i ekonomisë së Maqedonisë është se përkundër faktit që pjesa dërmuese e bizneseve lufton për mbijetesë, të paguajë detyrimet e përditshme ndaj partnerëve dhe shtetit, por erdhe rrogat në fund të muajit, megjithatë ajka e biznesit në vend tregon rritjen e fitimit. Me fjalë të tjera, profiti prej afër 500 milionë eurove i koncentruar në 50 kompani më të suksesshme dhe puna me humbje e çerekut të bizneseve, tregon një disbalans të vërtetë në ekonominë vendore ku profiti nuk ka një shpërndarje të barabartë midis firmave të mëdha, të mesme dhe të vogla.
Kjo udhëzon se në ekonominë e Maqedonisë një numër më i vogël i firmave qarkullon më shumë para por edhe fiton më shumë para, ndërsa të tjerët qarkullojnë më pak para dhe fitojnë më pak.
Sipas analizës së revistës “Kapital“, profiti prej afër 500 milionë eurove i 50 kompanive më profitabile në vitin 2016, bile është më i madhe për 56 milion euro në raport me vitin 2015 kur këto kompani kanë pasur fitime prej 442 milionë euro. Për të qenë paradokset edhe më të mëdha vetëm Xhonson Meti krijon profit një të katërtën e profitit e të gjithë bizneseve më fitimprurëse në vend. Gjithashtu vërehet edhe dallim i madh i fitimit midis 10 firmave të para dhe 10 firmave të fundit në listën e bizneseve më të dalluara në Maqedoni.
Analizat tregojnë se ajka e biznesit apo 10 firmat më të forta me para bëjnë një profit prej 308 milion euro apo 63 për qind e profitit të përgjithshëm të 50 kompanive më profitabile në shtet. Nga ana tjetër, 10 kompanitë e fundit krijojnë profiti prej vetëm 26 milion euro. Firma e fundit e renditur në listë ndër 50 bizneset më profitabile , fabrika Drekslmajer ka profit prej vetëm 2.4 milion euro që është për 50 herë më pak se profiti i kompanisë së parë në listë, Xhonson Meti.
Me fjalë të tjera kjo është edhe një tregues i koncentrimit të madhe të fitimit në pak firma ku pak firma qarkullojnë shumë para dhe realizojnë edhe më shumë fitime . Përqendrim edhe më të madh të shpërndarjes së fitimit ekziston nëse analizohet edhe profitet e firmave që punojnë në zonat të orientuara në eksport por edhe që gëzojnë benefite të shumta, lehtësime dhe lirime për të çilat vetëm mund të ëndërrojnë kompanitë vendore.
Pritet që edhe kompanitë vendore tu barazohen në periudhën e ardhshme kushtet e punës me kompanitë e jashtme nëse i plotësojnë kushte të caktuara dhe nëse e orientojnë prodhimin e tyre jashtë shtetit.
Analiza e “Kapital” tregon më tej se në listën prej 50 bizneseve më të mëdha në Maqedoni, 39 kanë rritje të fitimit, ndërsa vetëm tek 11 biznese shënohet ulje e profitit.
Në fund ia vlen të theksohen se kompania Xhonson Meti për tre vite me radhë renditet e para në listë. Ajo me fitimin prej 121 milionë euro shënon rritje prej 33 për qind të profitit si dhe tejkalon për herë të parë kufirin e fitimit më të madhe se 100 milionë euro që në vitet e arta të punës e realizonte vetëm Telekomi i Maqedonisë.
Në vendin e dytë sipas fitimit është ndërmarrja shtetërore e rrugëve me fitim prej 33 milionë euro që tregon rritje prej afër 100 për qind për një vit. Ajo nga viti 2012 vazhdoi punën e Agjencisë së rrugëve , ndërsa përmes saj realizohet ndërtimi i autostradave Kërçovë-Ohër dhe Shkup-Shtip që financohen me kredi të jashtme. Në vendin e tretë sipas profitit është kompania motër e gjigandit kinez të ndërtimit Sinohidro me 31 milion euro . Në vendin e katërt është EVN Maqedoni me 28 milionë euro dhe në vendin e pestë është Telekomi i Maqedonisë me profit prej 20.3 milionë euro. Fabrika e prodhimit të çimentos Usje në pronësi greke renditet në vendin e gjashtë me 19.5 milionë profit, ndërsa Xeherorja Sasa renditet në vendin e shtatë me profit prej 16.1 milionë euro.
Në vendin e tetë me 13.7 milionë euro, është kompania shtetërore Elektranat e Maqedonisë në kuadër të së cilës funksionojnë kapacitetet kryesore prodhuese në Maqedoni si Termocentrali i Manastirit si prodhues kryesore i rrymës nga burimet vendore dhe disa hidrocentrale që marrin pjesë me përqindje më të vogla si rrjedhojë e kapaciteteve të dobëta në prodhimin e rrymës . Në vendin e nëntë është kompania për tregti të metaleve, Links Evropa që u bë pronare e xeherores Sasa, me zero të punësuar realizon marzhë të profitit prej 52,6 për qind. Ndërkaq , në vendin e dhjetë renditet Birraria e Shkupit me fitim prej 12.3 milionë euro.
Ndryshe, ndër 100 kompanitë më të mëdha në Evropën juglindore renditet vetëm Xhonson Meti e karakterizuar në renditje si industri kimike me qarkullim prej një miliardë e 346 milionë euro dhe fitim prej 122 milionë euro. Në vendin e parë në elitën e biznesit të shteteve të rajonit është kompania automobilistike rumune Daçia me qarkullim prej 4.6 miliardë euro dhe fitim prej 100 milionë euro. (koha.mk)