Përfaqësuesit e ambasadës së SHBA-së në Maqedoni sot në Fakultetin e Ekonomisë në kuadër të Universitetit të Tetovës e prezentuan programin Fulbright Scholar (Fulbrajt Skolar) për studentët dhe kuadrin akademik të këtij institucioni të lartë arsimor. Përfaqësuesi i ambasadës së SHBA-së, Gazmend Iljazi përveç programeve dhe bursave të dedikuara për ata që janë në studime pasdiplomike dhe të doktoraturës informoi edhe për programe të tjera arsimore të cilat u qëndrojnë në dispozicion personave të interesuar gjatë tërë vitit.
“Ky program ofron studime pasdiplomike për studentët e diplomuar, por edhe për ata të cilët kanë regjistruar ose janë në vijim të studimeve të tyre master ose të doktoraturës në Maqedoni apo në ndonjë shtet tjetër. Këta kandidatë mund të aplikojnë edhe për hulumtim në kuadër të temës së tyre të magjistraturës apo doktoraturës në SHBA”, deklaroi Iljazi. Interesim tek studentët ka, ndërsa qëllimi i këtyre aktiviteteve është që ata prej afër t’i marrin informacionet e nevojshme.
“Programi Fulbrajt ose pjesa më e madhe e bursave të cilat janë në listën tonë sipas informacioneve të mira zbatohen këtu që nga pavarësia e Maqedonisë. Për ne është e rëndësishme të ketë numër më të madh të të interesuarve që të mund t’i zgjedhim studentët më të mirë. Edhe deri më tani kemi pasur një numër të madh studentësh që në kuadër të këtij programi dhe programeve të tjera kanë qenë në SHBA dhe janë kthyer mbrapa, ndërsa qëllimi është që të gjithë të interesuarve përveç asaj që ekziston si informacion në ueb faqen e ambasadës të kategorisë së parë t’ua japin informacionet e kërkuara”, tha Iljazi. Konkursin për bursa të programit Fulbright Scholar që e ofron ambasada amerikane ka filluar nga fillimi i këtij muaji. Në periudhën e ardhshme prezentime të tilla të programeve do të ketë edhe në universitetet e tjera në Republikën e Maqedonisë.