Prokuroria e Shtetit është deklaruar në lidhje me skandalet që kanë shpërthyer ditëve të fundit në futbollin kosovar që kanë të bëjnë me kurdisje të ndeshjeve. Ky institucion ka deklaruar për “Zërin” se Prokurori i Shtetit do të fillojë me hetime në rast të evidentimit të veprave penale. “Institucioni i Prokurorit të Shtetit do të kërkoj nga prokuroritë kompetentë që t’i grumbullojnë dhe analizojnë të gjitha të dhënat e paraqitura në media”, thuhet në përgjigjen me shkrim që ka marrë “Zëri” nga Prokuroria e Shtetit.
“Në rast se prokuroritë kompetente do të gjejnë elementet e veprës penale, Prokurori i Shtetit do të filloj hetimet në përputhje me Kodin Penal dhe të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës si dhe ligjin për sportin ‘Për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive’”, thekson Prokuroria e Shtetit.