Omer XHAFERI
Shkup, 9 mars – Prezantimi i audio materialeve të klasifikuara si “masa të veçanta hetuese” nga Prokuroria Publike në fazën e mëhershme të procesit gjyqësor për ngjarjet në “Lagjen e Trimave” nuk kanë qenë të plota, por të prera dhe të montuara. Kështu tha, të enjten Shefqet Kallaqi, gjatë rrëfimit të zhvillimeve para dhe gjatë 9 majit të vitit 2015 në Kumanovë, shkruan gazeta KOHA. Gjatë dhënies së dëshmisë, Kallaqi tregoi se kush e ka patur fjalën e fundit në grup, kurse më pas sqaroi edhe çastet para fillimit të krismave në mëngjes e 9 majit si dhe kush ia ka dhënë numrat personal të Ali Ahmetit dhe Artan Grubit. “Me datë 8 maj prej shtëpive ku kemi qenë të vendosur ishim prezent unë, Vladet Zekaj, Sami Ukshini dhe Xhafer Zymberaj, kurse pas pak u paraqit Mirsad Ndrecaj. Në këtë ditë u shtuan kërkesat nga anëtarët tjerë të grupit që të largohemi nga aty dhe dikush nga personat që ishim duke ndenjur e pyeti Mirsadin se pse nuk dalim nga këtu, gjegjësisht kur do të largohemi nga ai vend. Përgjigja e Mirsadit ishte decime, duke thënë se ai i di punët e tij dhe kohën kur do të largohemi nga ai vend”, deklaroi Kallaqi.
DRONI MUND TË KONFIRMOJË SE NUK I KEMI FILLUAR LUFTIMET
Në dëshminë e tij para gjykatës ai tha se orët e para të datës 9 maj i ka kaluar duke bërë rroje, ndërsa kjo ka zgjatur nga 00:00 deri në 04:30 të mëngjesit, gjegjësisht disa çaste para fillimit të të shtënave nga ana e policisë. “Meqë ezani i sabahut atë kohë thirrej kah ora pesë e mëngjesit, unë rrojën e mbarova pak më herët, me qëllim mos të na shohin qytetarët që shkojnë për në xhami. Në ndërkohë, gjatë patrullimit tim unë kam hasur në lëvizje të pazakonta, për të cilat e kam njoftuar Mirsadin përmes një shokut tonë, ndërkaq ai më është përgjigjur se e gjithë situata është nën kontroll. Dhe, me të nisë thirrja e hoxhës, brenda dy minutave ai u ndal, kurse jashtë u dëgjuan dy krisma dhe ne e kuptuam se rryma është ndalur e tëra. Me të dalë nga shtëpia ne kemi hasur në një sulm të vrazhdë si nga ajri ashtu edhe nga toka. Faktin se ne nuk i kemi iniciuar të shtënat, mund ta konfirmojë droni, i cili vazhdimisht ka qëndruar mbi ne, besoj se e tërë ngjarja është e xhiruar”, theksoi Kallaqi.
VENDOSJA E KONTAKTIT ME AHMETIN DHE GRUBIN
Për ecurinë e këtyre zhvillimeve, Kallaqi gjatë dëshimsë të tij u përqendrua në bisedat telefonike, të cilat i ka realizuar ai dhe të cilat kanë qenë të përgjuara nga policia sekrete, mirëpo të njëjtat nuk janë prezantuar në format të plotë gjatë prezantimit të audio materialeve nga Prokuroria. Kontakti i parë, sipas Kallaqit, ka qenë me një gazetar të një mediumi shqiptar në Maqedoni, i cili ia ka përcjell numrin e përfaqësuesve të OSBE-së, prej të cilëve më pas kanë kërkuar ndihmë për ndërprerjen e zjarrit, me qëllim largimin e civilëve nga shtëpitë e rrethuara. “Personalisht unë me telefonin e Irfan Luftiut, (pasi këta të fundit nga të shtënat e shumta e strehuan në vendin ku qëndronim ne) kam biseduar me përfaqësuesin e OSBE-së, prej të cilët kam kërkuar ndihmë, mirëpo ai çuditërisht më ka thënë të kontaktojë me Ali Ahmetin dhe shefin e kabinetit të tij Artan Grubin, për të cilin deri atëherë nuk kisha dëgjuar. Nga OSBE-ja më janë arsyetuar se duhet të kontaktojë me këta dy pasi ata për ato momente, pra rreth orës 10:30 të 9 majit 2015, kanë qenë në takim me Ministren e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska”, tha mes tjerash Kallaqi.
SHËRBIMET PO MBROJNË MIJALLKOVIN, JANKULLOVSKËN DHE ÇAVKOVIN
Personat apo shërbimet që ia kanë dhënë materialet e përgjuara prokurorisë, siç tha Kallaqi, kanë qenë amator dhe intenca e tyre ka qenë mbrojtja e disa personave, siç janë Sasho Mijallkovi, Gordana Jankullovska dhe Mitko Çavkov. Duke e përshkruar bisedën e parë me Artan Grubin, për të cilën Kallaqi tha se Prokuroria nuk e ka prezantuar, ai potencoi se të njëjtit ju ka prezantuar se kush është dhe prej nga lajmërohet. Kallaqi tha se Grubi i ka thënë se është në dijeni për ngjarjet çka janë duke ndodhur në Kumanovë dhe ka vazhduar të sillet në mënyrë indiferente ndaj kërkesave të tyre, esenca e të cilëve ka qenë ndalja e të shtënave dhe dorëzimi i tyre. Krahas kësaj, ai tha se ka tentuar të bisedon edhe me Ali Ahmetin, mirëpo në atë numër i është përgjigjur Xhevat Ademi (të cilin Kallaqi tha se nuk e njeh) i cili i ka thënë se kryetari për momentin është në mbledhje.
“NDJEHEMI TË TRADHTUAR NGA OSBE-JA”
Tentimet për armëpushim, sipas Kallaqit, janë realizuar me mbështetje të OSBE-së. “Amatorët e policisë nuk e kanë ditur se unë gjatë gjithë kohës jam shërbyer me dy telefona. Të gjitha bisedat e mia me Grubin, përmes interfonit i kanë dëgjuar edhe përfaqësuesit e OSBE-së dhe anasjelltas bisedat e shefes së OSBE-së me Gordana Jankullovskën i kam dëgjuar unë, të cilat mi ka përkthyer përfaqësuesi i kësaj organizate, ndërsa e njëjtat nuk është prezantuar si dëshmi materiale nga prokuroria, respektivisht pjesa ku Gordana Jankullovska i thotë shefes së OSBE-së, se armëpushim ka hy në fuqi, ndërsa kjo e demanton se nuk është e vërtetë”, tha Kallaqi. Në bazë të dëshmisë të cilën e dha të enjten, Kallaqi tha se ndihet i tradhtuar OSBE-ja, e cila theksoi se u kishte premtuar se pasi të dorëzohen do të jenë aty, mirëpo ato nuk vërejtën asnjë përfaqësues në kohën e dorëzimit. Procesi gjyqësor kundër 37 të akuzuarve për ngjarjet e Kumanovës do të vazhdojë me datë 13 mars, kur edhe pritet para trupit gjykues të dëshmojë i akuzuari Lirim Demiri.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.