Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu ndërkohë u shpreh se kjo është vetëm një segment nga shumë projekte tjera të përbashkëta të planifikuara me NP “Parqet dhe gjelbërimet” për rregullimin e hapësirave të gjelbërta përgjatë gjithë territorit të Komunës
Remzije BILALLI
Shkup, 25 tetor – Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, së bashku me drejtorin e Ndërmarrjes Publike “Parqe dhe gjelbërimet” – Shkup, Ardijan Muça dhe zëvendëskryeministrin për çështje evropiane të Maqedonisë, Bujar Osmani, sot para qytetarëve të Çairit promovuan parkun “Parku i gëzimit” një hapësirë e re e gjelbër në territorin e Komunës së Çairit.
Për dy muaj me radhë ishte punuar në sipërfaqen e parkut prej 3900 m2, duke ia mundësuar të gjitha standardet bashkëkohore. Gjatë promovimit të parkut, Muça u shpreh se ky park do ti sjell gëzim banorëve të kësaj lagje, ndërsa karakteristikë e veçantë e këtij parku është se lidh tri shkolla dhe të njëjtin mund ta shfrytëzojnë edhe pacientët e poliklinikës së Çairit pasi është në afërsi të saj.
Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu ndërkohë u shpreh se kjo është vetëm një segment nga shumë projekte tjera të përbashkëta të planifikuara me NP “Parqet dhe gjelbërimet” për rregullimin e hapësirave të gjelbërta përgjatë gjithë territorit të Komunës. Si shtoi se vetëm me kontribut të këtillë të përbashkët institucional, Çairi do të jetë çdo ditë më i bukur dhe më i pastër.
“Nuk do të ndalemi këtu, kemi edhe shumë projekte tjera për të bërë, duke synuar të realizojmë atë të cilën e kemi premtuar në kohën e zgjedhjeve. Do të investojmë në parqe dhe do të krijojmë hapësira të reja të gjelbërta, mirëpo presim që të njëjtat të ruhen nga ana e qytetarëve. Ndërkaq siç jemi zotuar gjatë zgjedhjeve, prioritet i komunës tonë do të mbetet gjelbërimi dhe largimi i zonave të uzurpuara. Njëkohësisht punojmë edhe në zgjidhjen e shumë problemeve tjera që e tangojnë komunën tonë”, tha Ganiu.
Komuna e Çairi për një kohë të gjatë has në mungesë të zonave të gjelbërta dhe rritje të ndërtimeve të objekteve, por siç theksoi Ganiu, nga komuna do të kërkojnë që në planet detale të ndërtimit të parashihen gjelbërime dhe parkingje, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të investojnë dhe ndërtojnë në Komunën e Çairit.
Drejtori Muça ndërkaq paralajmëroi se në Çair do të realizohen edhe pesë projekte tjera, të cilat do të fillojnë në ndërkohë, duke apeluar njëkohësisht deri tek qytetarët që ti mbështesin dhe të kujdesen, sepse te gjitha këto hapësira të gjelbërta janë në të mirë të tyre. (koha.mk)