Pak orë para protestës së opozitës përmes së cilës kërkohet largimi i kryeministrit Edi Rama edhe shtyrja e zgjedhjeve lokale që supozohet të mbahen më 30 qershor, prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka porositur qartë se në një shtet demokratik dhuna është e papranueshme, duke sjellë në mend dhunën që shoqëroi protestën e 11 majit në Tiranë, shkruan Alsat M, transmeton gazeta Koha.
REAGIMI I OSBE-së
” I nxitim pjesëmarrësit dhe drejtuesit e protestës së sotme të jenë të përmbajtur. Përmendja e derdhjes së gjakut, pak ditë përpara një proteste publike, është e papërputhshme me demokracinë moderne dhe me protestat demokratike.”
Edhe presidenti i shtetit, Ilir Meta i cili nuk e ka përjashtuar mundësinë e dekretimit të një date të re për zgjedhjet lokal, ka bërë gjithashtu që protesta të jetë pa dhunë.
Në protestat e mëparshme, pavarësisht nga përkrahja qytetare, janë vërejtur disa akte dhune të papranueshme, ndaj dua t’ju kujtoj se drejtësia e kauzës tuaj, nuk duhet të cënohet nga veprime të papërmbajtura të individëve të caktuar…- deklaroi ILIR META, PRESIDENTI I SHQIPËRISË.
Ndërkohë që tashmë numërimi mbrapsht ka filluar deri në nisjen e protestës, kryeministri Edi Rama ka publikuar edhe letrën e 4 me radhë përmes së cilës kërkon nga kryetari i demokratëve, Lulzim Basha, që të reflektojë në këtë pak kohë që ka mbetur dhe në vend të protestës të zgjedhë dialogun.
“Zoti Kryetar, nuk dua t’Ju krijohet ideja se ky është një ushtrim serial i llojit “m’ka çu nana me la gojën”, as një përsiatje e zgjatur ku unë kam thjesht interesin e ndarjes me publikun, të mendimeve të mia lidhur me situatën e krijuar prej Jush. Keni akoma shumë, sa shumë, për të humbur dhe keni akoma kohë, shumë pak kohë, për të rifituar kthjelltësinë, qetësinë e drejtimin e humbur, duke u kthyer në Tryezën e Dialogut e duke i kursyer Shqipërisë, po edhe vetes e grupimit Tuaj, kostot e një aventure sa qesharake, aq edhe të kushtueshme për këtë vend në radhë të parë. Këto letra të miat po zgjaten përditë, sepse po mbarojnë! Dhe me durim po Ju përsëris, ejani në Dialog- tha Edi Rama – Kryeministër I Shqipërisë.
Megjithatë, Lulzim Basha nga një tubim me qytetarët në Burrel, ka thënë se largimi i Ramës është i pa negociueshëm. Por, me një tonalitet tjetër rreth natyrës së protestës ka folur edhe një nga “kokat” e së njëjtës, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.
“Protestat tona paqësore janë protestat me të bukura që ka pasur Shqipëria. Ju bëj thirrje të distancoheni nga dhuna. Edhe pse njerëzit janë të mërzitur. Nuk është detyra jonë të sulmojmë godinat, beteja jonë është të rrëzojmë sistemin e kalbur të Edi Ramës. Ne e dimë që policët që janë motrat dhe vëllezërit tonë janë në kushte jo të mira, me paga të ulëta- pohoi Monika Kryemadhi – kryetare e LSI.
Sipas mediave në Shqipëri për protestën janë angazhuar 1 700 punonjës policie. Nga Ministria e Brendshme njoftohet se do i jepet rëndësi e veçantë ruajtjes së institucioneve. Partia Demokratike ka kërkuar leje deri në mesnatë për një marshim-protestë, ndërsa policia i ka dhënë leje nga ora 19.00 deri në 21.00.