Familjet e palestinezëve që ndodhen në burgjet izraelite u mblodhën sot dhe protestuan para ndërtesës së Kryqit të Kuq në Gaza, raporton Anadolu Agency (AA). Protestuesit kërkuan reagim urgjent të bashkësisë ndërkombëtare në drejtim të lirimit të palestinezëve nga burgjet izraelite. “Jemi mbledhur që botës dhe të dashurit tanë të cilët janë në burgjet izraelite t’i porosisim se nuk i kemi harruar dhe se edhe më tej jemi pranë tyre në luftën e ndershme palestineze për drejtësi”, tha protestuesja Rahhab Kenan. Duke theksuar se për lirimin e palestinezëve nga burgjet izraelite nevojitet zhvillimi i gjuhës së unitetit, Kenan bëri thirrje të gjitha grupet palestineze që të bashkohen në këtë luftë. Forcat izraelite të sigurisë me pretendimin e informacioneve të inteligjencës për ekzistencën e kërcënimit burgosin palestinezë dhe i mbajnë në paraburgim deri në gjashtë muaj pa proces gjyqësor. Nëse gjatë paraburgimit të arrestuarit vlerësohen si “kërcënim” ndaj sigurisë izraelite, gjykata ushtarake mund të vazhdojë paraburgimin deri në pesë vite. Sipas të dhënave zyrtare të institucioneve përkatëse palestineze, në burgjet izraelite momentalisht gjenden afër 7.000 palestinezë. Lirimi i tyre ka qenë një nga kërkesat kryesore të palës palestineze në negociatat e pezulluara palestinezo-izraelite.