Qeveria është optimiste se do të marrë mbështetje edhe nga deputetët e opozitës kur të vijë koha për të votuar ndryshimet kushtetuese në Parlament. Ndaj deklaratave të përfaqësuesve të pushtetit, dje ka reaguar edhe VMRO-DPMNE-ja opozitare. Nëse qeveria ka vërtet një shumicë, thonë nga opozita, atëherë t’i vendosë në seancë në Parlament menjëherë ndryshimet kushtetuese
Xhenur ISENI
Shkup, 3 shtator – Përskaj asaj që nga opozita shprehen decid kur thonë se në asnjë mënyrë nuk do të mbështesin ndryshimet kushtetuese për futjen e bullgarëve në preambulë, Qeveria është optimiste se do të marrë mbështetje edhe nga deputetët e opozitës kur të vijë koha për të votuar ndryshimet kushtetuese në Parlament. “Kontaktet tona të përditshme me deputetët e opozitës më japin optimizëm se ata do ta mbështesin këtë dhe tashmë po shohim zhvillimin e një krahu pro-evropian në opozitë, gjë që më gëzon shumë, sepse kemi nevojë për një opozitë me orientim euroatlantik, sidomos në këto kohë sfiduese për shtetin”, tha zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Ai beson se në opozitë forcat progresive do të mbizotërojnë mbi forcat regresive. “Unë jam një optimist absolut. Kemi mbështetjen e të gjitha forcave pro-evropiane për rrugën evropiane dhe ndryshimet kushtetuese. Ne ende flasim maqedonisht, unë flas maqedonisht, askush nuk na ka asimiluar dhe bullgarizuar, ky ishte lajm i rremë. Ashtu si Platforma e Tiranës ishte lajm i rremë, se të gjithë do të duhet të mësojnë shqip. Realiteti është se gjuha maqedonase është zyrtare dhe do të jetë zyrtare në BE”, tha Grubi dhe shtoi se është koha që të gjitha partitë politike të lirohen nga mënyrat regresive të funksionimit dhe të japin mbështetje.
Edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski është i bindur se deputetët do të jenë në lartësinë e detyrës dhe se kur të vijë koha do të marrin vendim shtetëror. “Sa i përket Kushtetutës, ne jemi një demokraci funksionale multietnike, multikulturore, ne jemi Evropa në miniaturë, forca jonë si vend është diversiteti që na bën autentikë dhe kjo që jemi sot. Dhe ne jemi veçanërisht krenarë për këtë. Hapja e Kushtetutës dhe futja e më shumë pjesëve të popujve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, përveç atyre tashmë në Preambulë, do të nënkuptojë vetëm një konfirmim të vendosmërisë sonë për të krijuar një shoqëri në të cilën të gjithë kanë mundësi të barabarta për zhvillim. Jam i bindur se deputetët do të jenë në lartësinë e detyrës së tyre dhe se kur të vijë koha do të marrin një vendim shteti”, ka thënë Kovaçevski në një intervistë për mediat serbe.
Ndaj deklaratave të përfaqësuesve të pushtetit sot ka reaguar edhe VMRO-DPMNE-ja opozitare. Nëse qeveria ka vërtet një shumicë, thonë nga opozita, të vendosë në seancë në Parlament menjëherë ndryshimet kushtetuese. “Kjo është një gënjeshtër e Grubit. Nëse kanë deputetë, që është vërtetuar se nuk i kanë, le t’i fusin në rend dite javën e ardhshme. Ndryshe, Dimitar Kovaçevski duhet të japë dorëheqje menjëherë. Çështja e ndryshimeve kushtetuese nuk është nëse jemi pro apo kundër Bashkimit Evropian, por nëse jemi pro apo kundër shpifjes së identitetit dhe pranimit të ultimatumeve bullgare”, reagon VMRO-DPMNE. Siç dihet, përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë është pjesë e Kornizës negociuese dhe kusht për fillimin e tërësishëm të negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian.
Nga ana tjetër, deputeti i Bundestagut gjerman, Michael Roth në një prononcim për mediat vendore tha se Bashkimi Evropian ka kërkuar shumë nga Maqedonia e Veriut, por që tani është koha që vendi të vazhdojë rrugën drejt qëllimit kryesor, anëtarësimit në BE. “Ne kemi kërkuar shumë nga vendi juaj. Por tani duhet të ecim përpara. Ky vend e meriton të ecë me sukses në rrugën drejt BE-së dhe prandaj jam këtu, nga një lidhje e vjetër, kam shumë miq dhe jam emocionalisht i lidhur me shumë njerëz në këtë vend. Është veçanërisht e rëndësishme për mua dhe pata mundësinë të diskutoj me shumë të rinj. Unë dua të inkurajoj. E di për frustrimin e shumë njerëzve këtu, shumë maqedonas dhe maqedonase janë të zhgënjyer nga Bashkimi Evropian”, thotë kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme në Bundestagut gjerman, Michael Roth. (koha.mk)