Shkup, 6 korrik – Kryetari i qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski dhe përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Maqedoni, Louisa Vinton, kanë hapur të enjten Qendrën e Inovacionit të Qytetit të Shkupit, -Skopje Lab, e vendosur në ndërtesën e administratës së qytetit, roli i të cilës është të punojë në kërkimin dhe avancimin e zgjidhjeve të reja për sfidat me të cilat përballet kryeqyteti i Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA). Kryetari i Shkupit, Koce Trajanovski, në hapje të kësaj qendre inovacioni tha se në këtë mënyrë qyteti përmirëson komunikimin dhe bashkëpunimin me qytetarët duke i dhënë një mundësi opinionit të marrë pjesë në zhvillimin e shërbimeve dhe zgjidhjeve të raja për një Shkup më të mirë. “Roli kyç i këtij laboratori është të punojë në kërkimin dhe avancimin e zgjidhjeve të reja për sfidat me të cilat ballafaqohemi për çdo ditë. Ky është një vend ku qytetarët, komuniteti i biznesit dhe shoqëria civile do të kenë shansin të punojnë bashkërisht në krijimin e politikave”, tha Trajanovski. Ideja e Qendrës, siç tha përfaqësuesja e UNDP-së, është të tregojë se shërbimet publike të ofruara nga qeveria, qoftë në nivel kombëtar ose lokal, mund të përmirësohen duke përfshirë opinionin gjatë hartimit dhe zbatimit të tyre. “Qendra e Inovacionit do të jetë një vend për dialog të hapur mes punonjësve të qeverisjes së qytetit dhe publikut më të gjerë, me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve që plotësojnë nevojat dhe dëshirat e qytetarëve, duke respektuar kufizimet e buxhetit të qytetit”, tha Vinton. Dy pilot-projektet e para në të cilat do të punoj Qendra e Inovacionit janë ndotja e ajrit dhe trajtimi i mbeturinave. Ky projekt rajonal i cili realizohet edhe në Armeni, Gjeorgji dhe Moldavi kap vlerën prej 360.000 dollarë amerikan dhe përkrahet nga qeveritë e Sllovakisë dhe Turqisë.