Vjollca SADIKU
Dibër , 27 prill – Kontributi i dibranëve në sferën e muzikës mbarëshqiptare padyshim është i madh. Dibra ka pasur dhe ka shumë talente në këtë sferë dhe muzikës shqiptare i ka dhanë muzikantë prestigjioz, edhe atë në të gjithë llojet e saj. Edhe pse qyteti i muzikës asnjëherë nuk ka pasur shkollë muzike, përsëri talenti i dibranëve në këtë sferë, i bëri ata që të jenë muzikantë prestigjioz, kurse Dibra të jetë vatër e muzikës, shkruan gazeta KOHA. Në të kaluarën, por edhe sot shumë dibranë janë në majat e muzikës popullore, zbavitëse, por edha asaj serioze. Rapsodët dibranë, duke thurur vargje popullore për historinë dhe personalitetet patriotike të Dibrës, me çiftelitë të tyre i kanë dhuruar folklorit shqiptar një burim të pashtershëm të këngëve patriotike, kushtuar historisë dhe trimërisë dibrane gjatë shekujve. Rapsodët Aziz Ndreu, vëllezërit Lalla, Fuat Bllata, Burhan Balla, Nehat Kupa, vëllezërit Tollumi, Beqiri e të tjerë kanë kënduar dhe këndojnë këngët më të bukura të Krahinës së Dibrës. Kur jemi te muzika popullore duhet theksuar se janë të shumtë këngëtarët, të cilët tani më kanë një karrierë të suksesshme. Janë këngëtarët Haxhi Maqëllara dhe vëllau i tij Agroni, Sulejman Borova, Violeta Turkeshi, Samir Shehu, Evzi Kaja e shumë e shumë të tjerë, të cilët i dhanë shumë Dibrës së Madhem përfshi këtu edhe shoqëritë kulturo artistike “Liman Kaba”, “Haki Stërmilli” dhe “Dibra”. Sot këngëtarët dibranë me një respekt të gjerë dominojnë në skenat e muzikës popullore jo vetëm në trevat mbarëshqiptare, por edhe në shtetet e Evropës dhe SHBA, duke prezantuar në mënyre të denjë muzikën popullore dibrane. Në të kaluarën, por edhe sot, talentet muzikorë të Dibrës kanë dhanë dhe japin një kontribut të madh në prezantimin sa më të mirë të muzikës së pasur popullore shqiptare nga Krahina e Dibrës. Ata janë edhe ambasadorë të mirë të folklorit dibran nëpër botë. Dibra ka shumë suksese edhe në muzikën qytetare, duke pasur parasysh sukseset e ansamblit “Penestia” dhe sidomos këngëtarin Shkëlqim Agolli.
Por, Dibra i dha shumë edhe muzikës zbavitëse dhe rokut. Dibra ka qenë qyteti i parë ku lindën rok grupet, në kohë kur në mbarë trojet shqiptare ende nuk ka pasur grupe të këtilla. Viteve të 60 është grupi Litzi, kurse viteve të 70 paraqiten edhe grupe të tjera që trajtojnë rok muzikën. Por, mes tyre një depërtim të fuqishëm pati rok grupi Enigma, e cili u themelua në vitin 1976 dhe dy vite më pas editoi edhe singl diskun e parë me muzikë rok në gjuhën shqipe. Grupi pati depërtim të suksesshëm në skenën e asaj kohe në territoret e ish-Jugosllavisë, por normalisht më shumë në Kosovë e Maqedoni.
Por, padyshim, kur flasim për muzikën zbavitëse në Dibër duhet veçuar edhe sukseset në muzikën zbavitëse të këngëtarëve Arian Kërliu, Burhan Halili , Samir Shehut, Lundrim Paçuku etj. Kur është në pyetje muzika serioze normalisht një vend të veçantë ka Bashkim Paçuku, tenor i njohur, i cili ka qenë dhe është prezent në të gjithë skenat botërore dhe tani me sukses edhe në SHBA. Edhe sot në skenë dalin edhe emra të rinj dhe grupe, siç janë Klea Çutra, grupi “Mega bend” etj.
Kompozitori dibran Nazim Kaba, i cili ka një kontribut teje të madh në kompozimeve dhe si udhëheqës i shumë shoqërive kulturo artistike, thekson se treva e Dibrës gjithmonë ka dhënë talentë. Por, ai shton se një rol të veçantë në sukseset kanë edhe kompozitorët dibran. I ndjeri Musa Piperku, një nga kompozitorët më të shquar, padyshim se akoma gjendet në majat më të larta të muzikës së lehtë shqiptare. Sikur Dibra të kishte një shkollë të mesme të muzikë, sukseset gjithsesi do të ishin edhe më të shënuara.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara