Sa më e fortë dhe demokratike të jetë Maqedonia, aq më mirë është edhe Shqipëria, deklaroi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama pas takimit të sotëm me kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev në kudër të Samitit të Triestes, transmeton ATSH-ja.
“S’ka pasur tensione fare midis nesh si shtete. Ka pasur tensione të brendshme politike dhe një retorikë deri dhe skandaloze brenda Maqedonisë, ku unë nuk dua fare të hyj për të bërë komente. Është shumë e thjeshtë, sa më e fortë Maqedonia, sa më demokratike Maqedonia, sa më e suksesshme Maqedonia, aq më e fortë dhe më e mirë është Shqipëria, sepse në Maqedoni jetojnë shqiptarë, që janë popullsi shtetformuese dhe sa më mirë te jenë ata, aq më mirë jemi ne, aq më e mirë është e ardhmja për të gjithë”, tha kryeministri Rama.
I pyetur se çfarë u arrit në bisedë me Zaevin, Rama u shpreh se, “kemi folur për të ardhmen, s’jemi marrë me të shkuarën dhe kemi diskutuar për hapat që duhet të hedhim për të forcuar marrëdhëniet bilaterale në të gjitha aspektet”.
“Unë i kam bërë edhe një herë të qartë homologut tim se ne duam suksesin e Maqedonisë në të gjitha aspektet”, theksoi Edi Rama.