Në kuadër të Samitit të NATO-s në Bruksel, Kryeministri Edi Rama pati një takim me homologun grek Alexis Tsipras. Në takim morën pjesë dhe dy Ministrat e Jashtëm Bushati dhe Kotzias.
Dy Kryeministrat nënvizuan natyrën dhe rëndësinë strategjike të marrëdhënieve shqiptaro-greke dhe rolin e miqësisë mes të dy popujve si urë paqeje e stabiliteti ne mbarëvajtjen e integrimit euro-atlantik të rajonit. Kryeministrat diskutuan mbi ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe shprehën mbështetjen e tyre ndaj iniciativës së dy Ministrave të Jashtëm për një mekanizëm konsultimesh intensive me qëllim gjetjen e zgjidhjeve për problematikat e trashëguara nga e kaluara si dhe për nxitjen e mëtejshme të këtyre marrëdhënieve.
Palët nënvizuan rolin e posaçëm të komunitetit shqiptar në Greqi, si dhe vlerësuan hapat e rëndësishme të ndërmarra për integrimin social dhe ekonomik të shqiptarëve në Greqi. Kryeministri Rama theksoi nevojën e përparimit drejt gjetjes së zgjidhjeve për mosmarrëveshjet ekzistuese midis dy vendeve, në respekt të praktikave më të mira europiane dhe të së drejtës ndërkombëtare.
Rama: “Greqia na ka mbështetur dhe dëshirojmë që të vijojë të jetë një mbështetëse e fortë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”. Kryeministri Tsipras shprehu mbështetjen e fortë të Greqisë ndaj reformave shtet-konsoliduese në Shqipëri si dhe rëndësinë që ai i kushton respektimit të të drejtave të pakicës greke në vendin tonë.
Palët ranë dakord se vetëm gjetja e zgjidhjeve konkrete me impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e mirëqenies së të dy popujve do të forcojë mirëbesimin midis dy shteteve dhe do të na largojë nga retorikat konfliktuale e ngërçet e së shkuarës.